Biznes

Shoqata e bar-restoranteve letër qeverisë: Rishikoni orarin e lëvizjes dhe të muzikës. TVSH 6%

Shoqata e Bareve dhe Restoranteve në Shqipëri ka kërkuar rishikimin e orarit të lëvizjes dhe të muzikës me anë të një letre dërguar Kryeministrit të vendit, Edi Rama, ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.

Bashkë më dy kërkesat për orën policore dhe orën e muzikës, Shoqata ka kërkuar dhe disa masa lehtësuese për bizneset, 6% TVSH si në sektorin e turizmit dhe agroturizmit.

Shoqata e bareve kërkon plotësimin e këtyre kërkesave pasi dëmtimi i këtij sektori nuk po ndalon asnjë moment që nga hyrja në karantinë vitin e shkuar.

Më datë 1 qershor 2021 Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi lehtësimin e masave duke e zgjatur lëvizjen deri në orën 23:00, një orë më tepër se më parë që ishte 22:00.

Gjithashtu, vendimi i ndalimit të muzikës nga bar-restorantet pas orës 22:00, u njoftua se do të vazhdonte të mbetej në fuqi. Vendim që dukej absurd dhe tallës për bizneset në vend.

“Deri më sot kemi treguar durim e vetpërmbajtje duke kuptuar situatën në të cilën gjendej vendi, por sot nuk mund të rrimë më pasi urdhërat e vendimet zbatohen në mënyrë selektive duke mos pasur as konkurrencë të ndershme e duke rrezikuar në mënyrë serioze ekonominë e bizneseve tona e të familjeve tona”, thuhet në letrën e Shoqatës.
“Të gjitha kërkesat sa më sipër i konsiderojmë të domosdoshme për t’u marrë në shqyrtim nga qeveria, pasi çdo zgjidhje tjetër e një natyrë më të përgjithshme, nuk do të ketë sukses në rimëkëmbjen e subjekteve tona dhe vijimin e pagesës së taksave aq të domosdoshme për arkën e shtetit”, pwrfundon Shoqata e Bareve dhe Restoranteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë