Lojëra me Dore

Shokohet bota e tenisit, Simona Halep pezullohet për doping

Gazeta Si – Ish-numri 1 i botës në tenis ka dalë pozitive edhe në analizat e kampionit B, për një ilaç anti-anemi që stimulon prodhimin e hemoglobinës dhe rruazave të kuqe. Rumunja është mbrojtur në rrjetet sociale, duke shkruar se do ta fitojë ndeshjen më të fortë të jetës.

Një lajm shokues në botën e tenisit. Agjencia ndërkombëtare për integritetin e tenisit (ITIA) ka bërë me dije se Simona Halep, 31 vjeç, është pezulluar për shkak dopingu. Tenistja, aktualisht numri 9 në botë, ka shkelur rregulloren antidoping më 7 tetor 2022, duke përdorur një substancë të ndaluar.

Halep ka dhënë kampionin e analizës, teksa garonte në US Open në gusht 2022. Kampioni është ndarë në A dhe B dhe analiza ka vërtetuar se kampioni A përmbante FG-4592 (Roxadustat, ilaç që stimulon prodhimin e hemoglobinës), që bën pjesë në listën e substancave të ndaluara nga Agjencia Botërore Antidoping (WADA).

Vendimi është marrë menjëherë për një pezullim provizor. Halep ka ushtruar të drejtën e saj, duke kërkuar analizën e kampionit B, që konfirmoi të parin. Kampionja rumune, që e kishte mbyllur 2022-shin në fushë gjatë pezullimit, nuk mund të marrë pjesë në asnjë aktivitet.

Sportistja 31-vjeçare, fituese e ‘Roland Garros’ dhe ‘Uimbëlldon’, ka reaguar me një mesazh në rrjetet sociale. “Nga sot po luftoj për ndeshjen më të fortë të jetës, atë për të vërtetën, – shkruan Halep. – Është shokuese për mua.

Sasia e gjetur është shumë e ulët, nuk kam menduar asnjëherë të bëj të tilla gjëra. Është kundër gjithë vlerave dhe principeve, me të cilat jam edukuar. Jam e bindur se herët a vonë e vërteta do të dalë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë