Sociale

Shkurtohet me 15 ditë koha për pajisjen me dokumente biometrike për shqiptarët që jetojnë jashtë

Nga Gazeta Si – Shkurtohet koha dhe procedurat e aplikimit për pajisjen me dokumenta biometrike për të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha dhe administratorja e Përgjithshme e kompanisë “IdentiTek”, Freskida Halilaj nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me dokumente biometrikë, në Zyrat e Aplikimit të Përfaqësive të Republikës së Shqipërisë”.

Përmes kësaj marrëveshje bashkëpunimi do të përgjysmohet koha e aplikimit dhe marrjes së pasaportës për diasporën shqiptare. Tani çdo qytetari shqiptar që jeton jashtë kufijve të vendit nuk do t’i duhet më 30 ditë për tu pajisur më pasaportë, por kjo kohë reduktohet me 15 ditë.

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha pas nënshkrimit të marrëveshjes e cilësoi si një standard të ri që po aplikohet në funksion të lehtësimit të procedurave për qytetarët shqiptarë.

“Kjo procedurë, e cila më përpara ka qenë në një kohë më të zgjatur për rreth 30 ditë tani do marrë 15 ditë kohë”, nënvizoi ai.

Sipas administratores së “IdentiTek”, konsujt dhe përfaqësuesit e autorizuar do të kenë mundësinë të nënshkruajnë në mënyrë elektronike, format e aplikimit për të bërë të mundur prodhimin e këtyre dokumenteve në një kohë të shkurtër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë