Masa e Donald Trump për të shkurtuar pjesën më të madhe të fondeve të SHBA-së për ndihmën humanitare të huaj mund të shkaktojë më shumë se 14 milionë vdekje shtesë deri në vitin 2030, sipas një studimi të botuar në revistën mjekësore The Lancet.
Një e treta e atyre që janë në rrezik për vdekje të parakohshme janë fëmijë, zbulon studimi.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha në mars se administrata e Presidentit Trump kishte anuluar mbi 80% të të gjitha programeve në Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, ose USAID.
“Për shumë vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, tronditja që do të rezultonte do të ishte e krahasueshme në shkallë me një pandemi globale ose një konflikt të madh të armatosur”, tha në një deklaratë Davide Rasella, i cili është bashkautor i raportit të Lancet.
“Shkurtimet e fondeve rrezikojnë të ndalojnë papritur dhe madje të përmbysin dy dekada progresi në shëndetësi midis popullatave të cenueshme”, shtoi Rasella, studiuese në Institutin e Barcelonës për Shëndetin Global.
Duke parë të dhënat nga 133 vende, ekipi i studiuesve vlerësoi se financimi i USAID kishte parandaluar 91 milion vdekje në vendet në zhvillim midis viteve 2001 dhe 2021.
Ata gjithashtu përdorën modelim për të parashikuar se si shkurtimi i fondeve me 83%, shifra e njoftuar nga qeveria amerikane më parë këtë vit, mund të ndikojë në normat e vdekshmërisë.
Shkurtimet mund të çojnë në më shumë se 14 milion vdekje të shmangshme deri në vitin 2030, zbuluan parashikimet. Ky numër përfshinte mbi 4.5 milion fëmijë nën moshën pesë vjeç, ose rreth 700,000 vdekje fëmijësh në vit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.