Politike

Shkupit i hapen negociatat në fund të vitit. Shqipërisë pas kushteve?

Gjermania ka propozuar fillimin e bisedimeve me BE për Maqedoninë e Veriut para fundit të këtij viti dhe ka shprehur dakordësinë në parim për fillimin e procesit për Shqipërinë, por pa caktuar një datë të saktë pasi vendi ynë duhet të përmbushë fillimisht kushtet e vendosura nga Bundestagu.

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve, “Reuters” shkruan se ndryshe nga Tirana që nuk ka një datë konkrete, Shkupi pritet të nisë bisedimet deri në fund të vitit 2019."

Pas votimit në Berlin, Gjermania bëri një propozim të ri, i cili i është paraqitur këtë javë vendeve anëtare të BE-së, para se ministrat e bllokut të diskutojnë në mes të tetorit.

Gjermania, i ka dërguar zyrtarisht ditën e sotme, Këshillit Europian një tekst-propozim ku sqaron konkretisht se çfarë kërkohet nga vendi ynë.

Në tekst-propozim, Berlini kërkon nga Shqipëria numrin e duhur të gjykatësve dhe prokurorëve që kanë kaluar Vetingun, për vënien në punë të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Gjermania kërkon edhe miratimin e ligjit për reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR, shkruan “Euroneës”.

Më tej Berlini zyrtar kërkon, numrin e procedimeve penale kundër prokurorëve të akuzuar për sjellje kriminale; procedimet kundër atyre që akuzohen për blerje votash, ngritja e SPAK, prova të forta për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, nisjen e procedimeve dhe përfundimin e procedimeve të para kundër zyrtarëve të lartë publikë dhe politikanëve; progres në reformën për administratën publike, zbatimin e reformës zgjedhore dhe një vendim përfundimtar mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershori

Sipas “Reuters”, BE duhej të binte dakord për bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në 2018 dhe më pas gjatë muajit qershor, por vendimi u shty për shkak të mosmarrëveshjeve brenda bllokut dhe BREXIT.

Shumë vende janë pro çeljes së negociatave duke paralajmëruar një prani të shtuar dhe të rrezikshme ruse, kineze dhe turke në rajonin e Ballkanit.

"Bashkimi Europian qëndron para një zgjedhje strategjike”, thuhet në letrën e përbashkët të kreut të ri të Parlamentit Europian, David Sassoli, kryetarit në largim të samiteve të liderëve të BE-së, Donald Tusk dhe kryetarit të ardhshëm të Komisionit Ekzekutiv të fuqishëm të bllokut.

"Ne besojmë se tani është koha për të hapur bisedimet e pranimit me të dyja vendet”, është shprehur shefja e re e BE-së, Ursula von der Leyen.

Kancelarja Angela Merkel dhe kryeministri Edi Rama

Por shtetet kryesore të BE-së ngurojnë, me Francën në krye. Në Holandë, do të mbahet një debat parlamentar mbi këtë çështje. Amsterdami është Pro Maqedonisë së Veriut, ndërsa ka dalë kundër Shqipërisë.

Ministri i Punëve të Jashtme të Holandës, Stef Blok ka deklaruar sot se Shqipëria nuk është e gati për në BE.

“Shqipëria duhet të ndërmarra hapa të tjerë në luftën kundër korrupsionin dhe të përmirësojë sundimin e ligjit”, është shprehur ministri holandez pas mbledhjes së kabinetit qeveritar holandez.

Sa i përket Maqedonisë së Veriut, Blok ka deklaruar se Qeveria ku ai bën pjesë është e interesuar për hapjen e negociatave me shtetin ballkanik.

Por edhe pse është Holanda më e zëshme në kundërshtimin që po tregon për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, “Reuters” thekson se çdo gjë është në dorë të Emmanuel Macron, presidentit të Francës.

Një diplomat i BE-së ka thënë se varet nga Franca nëse Shqipërisë do i hapen negociatat këtë muaj. Të tjerë mendojnë se Parisi mund të shtojë kushte të tjera përveç 9 kushteve gjermane, si një kompromis për të dhënë dritën jeshile.

“Duke lënë pjesën për Maqedoninë e Veriut të pandryshuar (hapje negociatash), (drafti i deklaratës së ministrave të BE) nuk jep datë për konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë, por propozon një listë me shumë reforma që Tirana duhet të realizojë përpara se ky takim të realizohet”, shkruan Gabriela Baczynska për Reuters, duke iu referuar draftit të deklaratës që pritet të miratohet nga ministrat e BE-së në takimin e 15 tetorit.
Por Reuters thekson se nëse ministrat e BE-së nuk arrijnë një marrëveshje, kancelarja gjermane, Angela Merkel, mund të kërkojë ndihmë nga Macron, për të arritur kompromisin.

Sa i përket Maqedonisë së Veriut, shtetet e BE-së janë të gatshme të hapin negociatat dhe takimi i parë ndërqeveritar pritet të zhvillohet në fund të këtij viti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë