Ngjarje

Shkrumbohet restoranti në Theth, pronarja: Nuk ishte shkëndijë elektrike

Një restorant në Theth është shkrumbuar totalisht pasi u përfshi nga flakët. Ngjarja ka ndodhur rreth orës dy të mëngjesit dhe kanë qenë banorët e zonës që kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve. Pronarja e restorantit, Aida Gjeçaj thotë se ekspertët kanë përjashtuar si shkak shkëndijën elektrike. Ajo hedh dyshime se ngjarja mund të ketë qenë e qëllimshme, por përjashton mundësinë e ndonjë konflikti me njeri.

Teksa falënderon komshinjtë për ndërhyrjen e shpejtë, Aida Gjeçaj thekson se punimet në restorant kishin përfunduar vjet dhe se dëmi mund të llogaritet deri në 150 mijë euro. Ajo thotë se nuk ka ndërtuar asnjë gjë pa leje dhe se objektet në pronësi të saj nuk ishin në listën e objekteve që do të shemben nga IKMT.

“E vetmja gjë që ekspertët kanë konfirmuar është se energjia elektrike nuk është shuar edhe pse godina kishte marrë flakë, gjë që përjashton incidentin nga ndonjë shkëndijë elektrike. Kështu që për shkaqe të tjera nuk kam dyshime, sepse nuk kam askujt borxh, s’kam asnjë konflikt apo kërcënime. Nuk e di nga se mund të ketë ardhur. Kemi vetëm 5 dhoma në pronësi, pasi nuk kam dashur të ndërtoj asnjë gjë pa leje. Nuk e di ku ta vë gishtin.”, deklaroi ajo.

Gjeçaj thotë se pret që drejtësia të bëjë punën e saj dhe të zbardhë ngjarjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë