Ka ndodhur

Shkrumbohen 4 autobusë në Lushnjë, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme

Gazeta Si – Një zjarr ka përfshirë ish-parkun e automjeteve në Lushnjë rreth orës 03:45 të mëngjesit të kësaj të enjteje, duke djegur katër autobusë të parkuar.

Tre prej tyre janë shkrumbuar plotësisht, ndërsa i katërti është shpëtuar pjesërisht falë ndërhyrjes së zjarrfikësve.

“Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në lagjen “Gafurr Muço” Lushnjë, në vendin e quajtur “ish-parku i autobusëve”, dyshohet se në një autobus të parkuar ka rënë zjarr aksidentalisht e për pasojë janë përfshirë nga flakët edhe tre autobus të tjerë, në pronësi të shtetasve V. Z., B. M. dhe G. M.”, shkruhet në reagimin e policisë. 

Në ndihmë kanë mbërritur forca zjarrfikëse nga Divjaka dhe Fieri, ndërsa është shmangur përfshirja e mjeteve të tjera pas njoftimit të drejtuesve.

Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për të zbardhur shkaqet e zjarrit që ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomike, teksa dyshohet dhe për zjarrvënie të qëllimshme.

Pritet ekspertiza zyrtare e shërbimit zjarrfikës dhe grupit hetimor për të zbardhur shkaqet e rënies së zjarrit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë