Gazeta Si – Mbrojtësi sllovak ka firmosur me klubin francez. Klubi italian ka refuzuar ofertën prej 10 milionë eurosh për ta lejuar futbollistin të largohet që tani në merkaton e janarit.
Interi kërkon ta mbajë Shkriniarin deri në qershor. Sipas ‘Sky Sport’, klubi zikaltër ka refuzuar ofertën e PSG-së për përshpejtimin e kalimit të mbrojtësit në Paris. Shifra e refuzuar është rreth 10 milionë euro, që nga Interi konsiderohet shumë e ulët.

Marota kërkon dyfishin dhe futbollisti sllovak shpreson që PSG të rritë ofertën, në mënyrë që ai të transferohet menjëherë. Për momentin duket e vështirë që situata të zhbllokohet tani. Interi gjithsesi po sheh për zëvendësuesit e mundshëm të Shkriniar, i cili e ka hedhur firmën me klubin e ri.
Kanë mbetur edhe tri ditë nga mbyllja e merkatos dhe PSG nuk ka në plan të paguajë shumë për një lojtar në fund kontrate, por mund të ketë edhe ndonjë skenar të papritur.
Tiago Djalò, portugezi i datëlindjes 2000 që luan me Lilën dhe Viktor Lindelof, suedezi i Mançester Junajtird, janë kandidatë për të veshur fanellën zikaltër pas largimit të Shkriniar. Nga lista e Marotës duket se është përjashtuar Kris Smolling, që luan në mbrojtjen me tre, por në qendër dhe jo në të djathtë si sllovaku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




