Nga Gazeta ‘Si’- Pezullimi i gjithë zinxhirit komandues të Forcës së Posaçme Operacionale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), i njoftuar publikisht nga drejtori i Përgjithshëm Eduart Merkaj,pas atentatit në Rinas ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, i dënuar për krime, dhe një oficer i mbikqyrjes policore mbeti i plagosur, ishte një nga deklaratat më të forta të muajve të fundit.
Por për arsyet e mënyrës se si reagon institucioni.
Ndërsa Merkaj synonte t’i tregonte publikut vendosmëri, deklarata e tij në vetvete është dëshmi e qartë se AMP po përballet me një krizë të thellë funksionimi.

Në vend që të rikthente besimin, njoftimi i Merkajt ekspozoi boshllëqe të rënda në mënyrën se si agjencia operon. Vendimi për të pezulluar një zinxhir të tërë komandues është një masë e jashtëzakonshme, që në çdo vend të botës do të ishte shenjë e një kolapsi të brendshëm, jo e një force të re.
Në rastin e AMP-së, ai konfirmoi pikërisht këtë: strukturat e brendshme nuk funksionojnë si një trup inteligjence, për ti prirë infiltrimit të krimit dhe korrupsionit por si një aparat administrativ i rëndomtë pa barriera.
Verifikime të dështuara dhe punësime të rrezikshme
Rasti skandaloz i punësimit të Mustafa Sheqerit, person me lidhje të njohura me grupe kriminale, si agjent brenda AMP-së vetëm pak muaj para se të përfshihej në një ngjarje kriminale, është ilustrimi më i qartë i kësaj dështie.

Vetë AMP pranoi publikisht se verifikimet për të kishin dështuar, duke konfirmuar se procedurat e sigurisë — baza e çdo strukture inteligjence — nuk funksionojnë.
Më pas, arrestimi i dy punonjësve të policisë për falsifikimin e dokumenteve të besueshmërisë hedh dritë mbi një problem edhe më serioz: dokumentet që duhet të garantonin integritetin e kandidatëve, janë manipuluar nga brenda. Fakti që një individ me rekorde të njohura kriminale mund të hynte në një agjenci kontrolli tregon një mungesë alarmante të filtrave të brendshëm.
Këto nuk janë dështime të vogla të sistemit. Janë simptoma të një strukture që funksionon pa mekanizma të vërtetë inteligjence, pa mbrojtje të brendshme dhe pa analizë efektive të rrezikut.
Në një prononcim për BIRN, Merkaj tha se ka vlerësime të dobëta të efektivëve, ekziston kultura e heshtjes së policëve ndaj kolegëve të inkriminuar etj duke dëshmuar se vetë AMP ka humbur kontrollin.
Sepse nëse agjencia që mbikëqyr policinë pezullohet në nivele të tëra komanduese për shkak të infiltrimit dhe dështimeve të verifikimit, atëherë problemi nuk është më te disa individë. Problemi është te sistemi.
Sepse përkundër simotrave të saj në vende të tjera, një agjenci inteligjence e brendshme — si Internal Affairs në SHBA apo IOPC në Britani — funksionon mbi parimin e mbrojtjes së rreptë të integritetit të trupës së saj.
Në to, çdo devijim i vogël zbulohet përpara se të ndikojë strukturën. Kur drejtori i një institucioni arrin të deklarojë publikisht se verifikimet kanë dështuar dhe zinxhiri komandues pezullohet, kjo është dëshmi se mekanizmat parandalues nuk ekzistojnë. Në këtë prizëm, deklarata e Merkajt nuk është më thjesht një njoftim administrativ. Ajo është rrëfimi i qartë i një institucioni të brishtë, që funksionon me dokumente, vula dhe formularë, por jo me standarde inteligjence dhe analiza të rrezikut.
Zgjidhja: një reformë drastike, e tipit ndërkombëtar
Për të shmangur përsëritjen e skandaleve të tilla, Shqipëria ka nevojë për një ndërhyrje të thellë, të ngjashme me modelet e aplikuara në vendet ku korrupsioni i uniformave u bë kërcënim kombëtar. Disa mund të jenë : Rindërtimi nga zero i AMP-së.
Siç kanë bërë SHBA-të me strukturat Internal Affairs në disa qytete të mëdha, AMP-ja duhet të ri-ngrihet me staf të ri, të filtruar, dhe me standarde të reja; Hetues civilë dhe jo ish-policë- modeli britanik IOPC ka treguar se kontrolli real vjen vetëm kur hetuesit nuk kanë lidhje historike, shoqërore apo profesionale me strukturën që monitorojnë. Mbikëqyrje ndërkombëtare 3–5 vjeçare sikurse është zbatuar në disa vende të Europës Lindore, monitorimi nga EUROPOL dhe ICITAP siguron mbështetje teknike, por edhe presion të jashtëm për standarde; dhe më pas një Vetting inteligjent, jo vetëm pasuror, por verifikim i kontakteve sociale, lidhjeve digjitale dhe riskut kriminal — si në modelin kanadez të RCMP.
Nëse situata nuk trajtohet me reforma dramatike, institucionet e sigurisë do të mbeten të cenueshme dhe krimi i organizuar do të vazhdojë të depërtojë aty ku kontrolli duhet të ishte më i fortë.
Ngjarja e Rinasit por dhe të tjera përpara kanë konfirmuar me kohë që AMF është një derë e hapur nga krimi dhe jo një mur mbrotjës prej tij dhe për këtë qytetarët tanimë nuk kanë nevojë për konstatime; ata e dinë ndaj ata duan zgjidhje të forta, që vijnë nga qeveria.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



