Në filma me mafien italiane të sjellë nga kinemaja amerikane, apo edhe të tjerë skenat e dhunës me shkop bejsbolli përçojnë mizorinë e krimit të organizuar. Por në Shtetet e Bashkuara bejsbolli është po ashtu një sport i preferuar.
Por edhe në Shqipëri bejsbolli ka filluar të luhet rëndshëm. Vetëm se tifozët mund të jenë kalimtarë të rastit, ose grupe që përplasen dhe që e ruajnë sekretin në bodrumet ku ndodhin këto skena.
Ndërkohë dhuna tek të rinjtë që përherë e më tepër po përplasen jo vetëm për larje hesapesh, por edhe pa asnjë motiv, po njeh rritje. Dy të rinj u goditën në Tiranë vetëm sepse njëri prej tyre nuk i hapi rrugën në trotuar bashkëmoshatarit të tij. Por ndryshe nga pak vite më parë, kur veç pistoletave, thikave apo dorezave metalike që përdoreshin për konflikte të çastit apo disi të mbartura, së fundmi po përdoret një armë e re: shkopi i bejsbollit.
Gjendet në bagazhe makinash, poshtë sediljeve – e shpjegon shkurt një oficer policie, i cili deklaron për gazetën Si se përfundimisht shkopi i bejsbollit në Shqipëri është kthyer në një armë serioze, që shkakton fraktura apo jep një mesazh.
I kthyer në një armë të ftohtë, me të cilën në disa raste kundërshtarë potencial në krim i japin mesazhe të dhunshme njëri-tjetrit, shkopi i bejsbollit është një nga sendet më tipike që sipas burimeve të gazetës Si është sekuestruar edhe gjatë postblloqeve të fundit.
“Ne mendojmë që përdorimi i kësaj arme është një trend ndaj dhe i referojmë për prodhim dhe mbajte të armëve të ftohta, ndërsa i takon prokurorisë të vlerësojë nëse ky send është për të luajtur apo për dhunë”, pohon në anonimitet një zyrtar i forcave të rendit sipas të cilit sa kohë loja e bejsbollit nuk është një sport që ndiqet, me siguri duhet zbërthyer se çfarë po ndodh mes të rinjsh. Por siç duket shkopi i bejsbollit përdoret për “një lojë tjetër, atë të dhunës”.
"E bleva se luaj bejsboll"
Kur komisariati numër katër u njoftua nga salla operative për një të ri që punonte shitës dhe ndihej i kërcënuar, sapo patrullat ju vunë pas kërcënuesve, në mjetin e tyre gjeti një shkop bejsbolli. Por E. Z. u justifikua menjëherë duke thënë: shkopin e bejsbollit e kam blerë në një qendër tregtare në Tiranë se luaj bejsboll. Nuk kam konflikte me askënd.
Por nga këqyrjet e policisë në kamerën e sigurisë i riu dallohet pak përpara konstatimit të hyjë në dyqanin ku punon R. C dhe diçka i thotë. Kallëzuesi tregon se pak orë para se të merrte detyrën në rrugë kishte gjetur 500 euro. “I panjohuri erdhi dhe më kërcënoi, më tha që nuk e kisha të gjatë nëse nuk i ktheja çfarë i kishin humbur atij. U tremba dhe njoftova policinë”, shpjegon në procesverbal kallëzuesi.
Burimet e gazetës “Si” përmendin më tej se si patrullat u vunë në lëvizje për të gjetur kërcënuesin që u shfaq tepër i qetë dhe deklaroi: më humbën lekët, nuk e di pse e ka bërë kaq të madhe. I thashë që më duheshin lekët e mia, por jam djalë i qetë.
I riu sipas burimeve të gazetës Si insiston se shkopin e bejsbollit nuk e posedonte për të ushtruar dhunë, një version disi i pabesueshëm nëse do t’u referohemi rasteve të shumta. “Jo pak herë në spital ka ndodhur që janë dërguar persona me këmbë të thyer apo krah të thyer, dy vëllezër e pranuan që u rrahën me shkop bejsbolli, por sipas tyre konflikti ishte për lavazhin dhe dhunuesit ishin të paidentifikuar (rast i shkruar nga gazeta Si). Në dosjen e fundit të komisariatit numër katër, policia shton edhe dëshminë e shokut “të sportistit të bejsbollit”, i cili e thekson alibinë e të dyshuarit me frazën: shkopin e përdor gjithmonë për të ushtruar lojën e bejsbollit. Qytetari është keqkuptuar, shoku donte lekët dhe ne ishim në paqe. Sidoqoftë policia pohon për gazetën Si se do ta referojë dosjen për prodhim dhe mbajtje të armëve të ftohta.
Po grupet a po e përdorin shkopin e bejsbollit?
Një burim policor i gazetës Si pretendon se e njëjta gjë dyshohet se ka ndodhur edhe në së paku dy raste, dhe bëhet fjalë për dhënie mesazhesh nga anëtarë bandash. Por nuk jepen detaje se si quhen të dyshuarit apo të implikuarit, ndërkohë që shkopi i bejsbollit në sherret mes adoleshentëve dyshohet se po zëvendëson dorezën e hekurt që pak kohë më parë u kthye në aq shqetësim në shkolla sa u bë shkak të futej një figurë e re, siç është oficeri i sigurisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.