Një i ri nga Valiasi, pretendon se u mor peng nga dy shtetas, të cilët i ka pasur shokë fëmijërie pak çaste pasi kishte lënë takim me ta për t’u sqaruar për një objekt që e kishte dhënë me qira.
Sipas burimeve të Gazetasi.al, pranë policisë së Kamzës, kallëzimi u depozitua nga shtetasi L.S., i cili ka dhënë me qira një objekt 5 me 4 m për t’u përdorur si parukeri një qytetareje.
Pikërisht, deklaron policia, sherri i nisur me gruan, përfundoi në përplasje mes burrave, pasi parukierja ishte njoftuar se duhej të lironte objektin sapo të mbaronte kontrata.
Teksa gruaja kërkonte që të plotësoheshin kushtet e kontratës dhe të lyhej tavani, konfliktet kanë precipituar sipas burimeve policore, deri në kryerjen e një telefonate, përmes të cilës parukierja ka kërkuar që pronari të edukohej disi.
Për këtë ndërhyrje, i kanë ardhur në ndihmë kushërinjtë, që kanë kërkuar sqarim tek denoncuesi, i cili nga ana e tij, ka bërë rezistencë dhe kapja për krahu interpretohet si një përpjekje për ta hipur forcërisht në automjet, me qëllim për ta mbajtur peng.
Në denoncimin e kryer, sipas burimeve policore, pronari me incialet L.S., thotë se objektin e ka dhënë me afat dy vjecar dhe se për gjashtë muaj, kjo kontratë qiraje përfundonte dhe për këtë shkak njoftoi parukieren që të lironte ndërtesën.
“Shkova afër parukerisë, – thotë kallëzuesi, – dhe telefonova shtetasin A.M., i cili më tha se do mbërrinte për pesë minuta. Pas kësaj, ai mbërriti me një makinë dhe A., ishte shofer, së bashku me të ishin edhe dy persona të tjerë që qëndronin si pasagjerë. Pasi zbritën nga makina, A., që më kishte marrë në telefon dhe që më kishte kërkuar takim, më kapi për krahu dhe më tha: ‘Do vish me ne se s’bën, të diskutojmë problemin e parukerisë dhe nëse nuk vjen me dëshirë do të marrim me zor’”.
Denoncuesi i tregon policisë, sipas burimeve të Gazetasi.al, se pas kësaj deklarate, burrat e kanë kapur për krahësh, por L.S., ka bërë rezistencë, i ka shtyrë dhe është qëlluar me ta.
“I shtyva me forcë dhe u largova me shpejtësi, pas këtij momenti, kur iu shpëtova, qëndrova pak sekonda i fshehur në rrugë dhe pastaj u ktheva në shtëpi. Kur vajta në banesë, nëna më pa të shqetësuar dhe meqë kishte parë gjithçka nga ballkoni më pyeti: çfarë kishin ata persona me ty?”.
I riu i tregon policisë se i qetësoi të afërmit, duke pohuar se nuk kishte asnjë problem dhe se atyre iu kishin bërë sytë.
Policia e pyet të dëmtuarin se si ka mundësi që ai iu shëptoi nga duart tre personave dhe si ia doli ndaj tyre, meqënëse raporti ishte një me tre.
Ai përgjigjet: “I shtyva me forcë, pasi unë merrem me sport dhe jam i fortë fizikisht. Mendoj që përpjekjet e tyre ishin të më fusnin në makinë jashtë vullnetit tim dhe do më dërgonin tek lavazhi i A.L., që të diskutonim problemin e parukerisë”.
Policia: Çfarë problemi keni me parukerinë që do ta diskutonit?
Denoncuesi: “Asnjë problem, e kam njoftuar qira marrësen gjashtë muaj përpara se të përfundojë afati i qirasë. Para ca ditësh, parukierja B.C., u ankua se rridhte soleta dhe i thashë se do ta rregulloja unë dhe ajo më tha se brenda do ta lyej vetë”.
Policia i thotë Gazetasi.al, se ka pyetur të parën pas këtij denoncimi parukieren, e cila është një vajzë e re që jeton e vetme në Kamëz. Ajo shton sipas burimeve policore, se u kishte qarë hallin kushërinjve, për çështjen e parukerisë.
Në fillim nuk kisha probleme, por më pas L,, më solli probleme. Unë jam e vetëpunësuar dhe L., vinte shpesh në parukeri dhe bënte pyetje për të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga kontrata.
Në një rast, më dërgoi fatura nga matësi kolektiv, ndërkohë që matësi i energjisë i parukerisë, është i veçantë. Gruaja i kujton policisë se kontrata e qirasë nuk parashikonte që në këto ambiente të parukerisë të hynte pronari dhe as ndonjë nga të afërmit e tij dhe në këtë pikë ankesa e saj është se përse duhet të hynin burrat në pronën dhe punën e saj.
Policia bën me dije se ka pyetur njërin nga protagonistët e ngjarjes, me inicialet A.M., që ka hedhur poshtë dëshminë e denoncuesit që kërkon hetime për heqje të paligjshme të lirisë.
A.M., thotë sipas burimeve të Gazetasi.al, se “u përshëndeta pasi folëm në telefon me L., njihemi prej shumë vitesh, pasi jetojmë në të njëjtën lagje. Më pas, i futa krahun dhe e ftova për kafe dhe ndërkohë e pyeta për problemin e soletës dhe të parukerisë.
Ai m’u përgjigj – nuk merrem unë me këtë punë, merret vëllai im. Në këtë çast i hodha krahun në sup dhe i thashë se duhet të pinim kafe, duke e pyetur – do vish apo s’do vish të bisedojmë?
Sipas të dyshuarit, shoku i tij u keqkuptua dhe ndaj e shtyu forcërisht dhe e kapi për bluze. Madje, shton i dyshuari, kur pashë si veproi i ngrita zërin dhe i thashë: ‘Nuk qenke burrë’”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




