Kosova

Shkon në mbi 1 mijë e 500 numri i të helmuarve në Deçan. Dy të vdekur

Numri i të helmuarve në Komunën e Deçanit në Kosovë ka shkuar në mbi 1 mijë e 500 persona. Rastet e para janë shfaqur që nga e shtuna dhe dyshimet e para janë se helmimi ka ardhur nga uji i pijshëm.

Komuna e Deçanit ka marrë vendim që të shpallë gjendje emergjente në gjithë territorin e sajt, pas qindra rasteve të qytetarëve që janë helmuar. Në vendimin e komunës, përcaktohet se “të gjitha institucionet e nivelit lokal janë të detyruara të punojnë për ngritjen e gatishmërisë për menaxhimin e kësaj situate emergjente”.

Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë në Deçan, Selmon Berisha ka thënë për mediat se mbi 1 mijë persona kanë kërkuar trajtim mjekësor për shkak të helmimit.

Ai ka thënë se gjendja shëndetësore e pacientëve është e qëndrueshme. Banorët e Deçanit dyshohet se janë helmuar nga uji i pijshëm dhe prokuroria është duke kryer hetimet në këtë drejtim.

Por ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se dy vdekjet e regjistruara në 24 orët e fundit në Deçan nuk kanë lidhje me helmimet e fundit që kanë ndodhur në këtë rajon. Ai ka vizituar qendrën mjekësore në këtë komunë, ku ka kërkuar hartimin e një listë barnash që do të trajtohet me prioritet.

“Raportet e para që kemi marrë të dielën kanë qenë shqetësuese. Pa asnjë rast fatal deri më tani, dy rastet e vdekjes që i referoheni nuk kanë të bëjnë me helmimin”, ka thënë Vitia.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti shprehu mesditën e sotme shqetësimin për situatën e krijuar në Deçan me rreth 1500 të helmuar në katër ditët e fundit.

Përmes një postimi në Facebook Kurti tha se ka angazhuar për të mbështetur autoritetet lokale në Deçan zëvendëskryeministren Donika Gërvalla dhe Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia.

Kurti u është drejtuar qytetarëve të Deçanit duke u thënë se qeveria e tij po e ndjek me shqetësim situatën me rreth 1500 të helmuar ditët e fundit dhe se ata “do t’u përgjigjen nevojave të qytetarëve të prekur”.

Ai shkroi në Facebook pasi aktualisht nuk është në Kosovë, pasi ndodhet në një vizitë zyrtare jashtë vendit.

“Bashkëndjej brengën dhe shqetësimin tuaj dhe ju dëshiroj shërim sa më të shpejtë,” – shkroi në Facbeook Kurti.

Situata e helmimit në Deçan mori përmasa tragjike, pasi 2 prej të prekurve humbë jetën. Lajmi u konfirmua nga Prokurori i i Pejës, Shkodran Nikçi. “Për shkak të situatës së krijuar në rajon, Prokurori i Departamentit të Krimeve të Rënda, ka urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen në mjekësinë klinike për të kuptuar me shumë lidhur me rrethanat e vdekjes se tyre”, tha Nikçi.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se nga rezultatet e para ka dalë që kimikisht uji është i pijshëm. Këtë muaj është dyshuar dy herë për helmim uji, duke bërë që autoritetet lokale të supozojnë edhe për një skenar të qëllimshëm.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK), ka bërë të ditur të hënën se nga gjashtë mostra të testuara të ujit, në dy prej tyre kanë gjetur koloni të dyshimta të baktereve.

Megjithatë, sipas drejtorit të IKSHPK-së, Naser Ramadani, testimet duhet të vazhdohen të bëhen në laborator pasi shkaku i saktë i këtij helmimi nuk është përcaktuar ende. Në anën tjetër, Prokuroria e Pejës, ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me shkaqet e këtij helmimi ndërsa Ministria e Shëndetësisë, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Deçanit që të mos konsumojnë ujin nga “Hidrodrini” derisa të përcaktohet shkaku i helmimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë