Kosova

‘Shkojmë në zgjedhje kur të doni’, opozita i përgjigjet Kurtit: Jep dorëheqjen nëse je dorëzuar

Nga Gazeta ‘Si’ – Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se është i gatshëm për zgjedhje kur të dojë opozita. Madje, ai tha se nëse opozita është për rrëzimin e Qeverisë, ai do të ndihmojë këtë proces me votat e Vetëvendosjes.

“Ata numrat mund t’i bëjnë bashkë me neve. Kjo është ofertë e imja. Unë them që shkojmë në zgjedhje kur opozita dëshiron. Ne i ndihmojmë opozitës nëse duan të shkojmë në zgjedhje. Ne jemi gjithmonë gati”, deklaroi ai.

Deklaratës së Kurtit i janë përgjigjur menjëherë nga opozita. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se ‘nëse Kurti është dorëzuar le të japë dorëheqjen’.

Po nga e njëjta parti ka reaguar edhe deputetja Hykmete Bajrami në një prononcim e cila ka thënë se LDK-ja nuk bën mocion për rrëzim të Qeverisë.

Kjo për shkak se, siç thotë ajo, nuk dëshirojnë t’ia plotësojnë dëshirën Kurtit për viktimizim.

“Siç ka deklaruar kryetari i LDK-së Abdixhiku mbrëmë ‘Nëse Kurti është dorëzuar, e duket se është dorëzuar, le të japë dorëheqje dhe le t’ua shpjegojë qytetarëve dorëzimin e tij’. Tash jemi vetëm disa muaj para afateve për zgjedhje të rregullta dhe LDK-ja nuk bën mocion, por jemi të gatshëm edhe për zgjedhje, edhe për qeverisje pas procesit zgjedhor. Dëshirën për viktimizim LDK-ja nuk ia plotëson Kurtit e as nuk e mundëson, por dorëheqja pas dorëzimit është rrjedhojë e natyrshme. LDK-ja është gati për të gjitha”, ka deklaruar ajo.

Pas deklaratës së Kurtit ka reaguar edhe kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, i cili ka thënë se nënshkrimet e deputetëve të PDK-së për shpërndarje të Kuvendit janë gati që nga sot.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë