Gazeta Si- Një 18-vjeçar është gjetur i vdekur në trotuar në lagjen Nr.17 në Korçë në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne.
Sipas policisë, viktima me iniciale G.M., nga Durrësi dyshohet që të jetë vetëhedhur nga kati i 8 (tarraca) i pallatit nën efektin e alkoolit.
Policia e Korçës thotë se 18-vjeçari së bashku me disa shokë të tij kishin marrë me qira ditore një hyrje apartamenti në katin e 8.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar të gjithë personat që u gjetën në ambientin të cilin e kishin marrë me qira dhe vijon marrja në pyetje e tyre për sqarimin e plotë të rrethanave dhe mekanizmit të ngjarjes së rëndë.
Burime bëjnë me dije se 7 shokët e viktimës kanë deklaruar për uniformat blu se të gjithë kanë qenë në gjumë kur shoku i tyre ka ndërmarrë aktin e rëndë.
Ata nuk kanë ditur asgjë çfarë ka ndodhur për shkak se kanë konsumuar alkool dhe kanë qenë në gjendje të dehur pas festimeve në një lokal nate në Korçë.
Dyshime ka që krahas alkoolit, 18-vjeçari ka konsumuar edhe lëndë narkotike dhe në gjendje të rënduar është hedhur nga tarraca e pallatit.
Ndërkohë, trupi i pajetë i viktimës u transportua në morgun e spitalit Korçë për të kryer veprimet mjeko-ligjore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



