Gushti është kthyer muaji i gumëzhimës së tingujve klasikë dhe muzikës Jazz për qytetin verior të Shkodrës, ku artistë të huaj e shqiptarë po gjallërojnë shpirtin e gëzueshëm shkodran.
I 12-ti edicion i festës së tingujve, “Shkodra Jazz Festival”, prej ditësh ka bërë bashkë magjinë e natyrës dhe atë të artit në rrugicat tradicionale të qytetit.
Drejtori artistik i festivalit, Florian Jakaj, rrëfen se në 12 edicione, të ftuarit kanë qenë artistë të huaj, të njohur botërisht, por edhe shqiptarë me karriera të konsoliduara brenda dhe jashtë vendit si Markelian Kapidani i etiketuar si princi i xhazit shqiptar, Bardh Jakova, instrumentisti shkodran, që sot me sukses zhvillon aktivitetin e tij artistik në Itali dhe Sokol Prekalori, emër i afirmuar i muzikës xhaz.
Nata e parë e festivalit do të hapej në rrugën tradicionale të Gjuhadolit nga muzikantët italianë, Daniele Gorgone Trio dhe Gaetano Fasano, duke krijuar një mbrëmje të vërtetë festive për të rinjtë.
Për drejtorin artistik, pas sukseseve të edicioneve të mëparshme, Shkodra Jazz synon sërish të sjellë festë në qytetin e Shkodrës dhe jo vetëm.
“Për herë të parë, Shkodra Jazz Festival, on tour u prezantua në Prishtinë me koncertin e datës 15 Gusht”, thotë Jakaj për Gazetasi.al.
Përveç rrugicave tradicionale të Shkodrës, koncertet e “Rrok Academy” dega Jazz dhe klasike do të udhëtojnë dhe drejt Vermoshit, aty ku gjenden Orët e Zanat e ku kumbojnë lahutat, në datat 23 dhe 24 Gusht, nën titullin “Albanian Sounds”. Artistët e përfshirë në këtë projekt ambicioz janë vënë gjithashtu në shërbim të brezit të ri të muzikantëve shkodranë që po formohen në shkollën e muzikës së qytetit, ku organizohen mësime kushtuar jazz-it.
“Qëllimi i këtij aktiviteti ka qenë njohja me Alpet Shqiptare të studentëve të huaj që janë pjesë e ‘Rrok Academy’ dhe promovimi i një pike turistike përmes artit. Më datën 23 Gusht klasa e ‘Rrok Academy’ dega jazz, zhvillon koncertin e saj, me drejtues Markelian Kapidani dhe të ftuar Bardh Jakova (fizarmonike), Sokol Prekalori (violine) dhe Laura Ghirardi (vokal). Me datën 24 Gusht klasa e ‘Rrok Academy’ dega klasike zhvillon koncert me drejtues Pacalin Pavaci dhe të ftuar Klodiana Brahimi (soprano)”, vijon më tej Jakaj.
Ndër të tjera, Jakaj flet edhe për artistët e huaj të ardhur në Shqipëri.
“Shumica prej artistëve vijnë për herë të parë në Shqipëri. Janë mahnitur nga bukuritë e vendit, nga gastronomia jonë dhe nga ngrohtësia dhe interesi i publikut”, përfundon ai.
Shkodra Jazz Festival
15 gusht – Shkodra Jazz on tour në Prishtinë
16 Gusht – koncert tek Mrizi i Zanave në Fishtë
17 Gusht – koncert në Gjuhadol
18 Gusht – koncerti i studentëve të Rrok Academy, Fizarmonike “Shkodra Sounds” në Shirokë i drejtuar nga Bardh Jakova
23 dhe 24 Gusht – 2 koncerte të Rrok Academy Jazz dhe Rrok Academy Classic në Vermosh
26 Gusht – koncert tek Muzeu Oso Kuka
27 dhe 28 Gusht – koncert tek sheshi Nene Tereza Shkodër
29 Gusht – koncert tek sheshi para Bashkisë Shkodër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.