Ka ndodhur

Shkodër, RENEA shkon ta arrestojë, 49-vjeçari i rrezikshëm i përgjigjet me armë (Video)

Gazeta Si – Agim Gjata, i konsideruar si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe me precedent penal, është arrestuar nga forcat speciale RENEA këtë të enjte.

Por në momentin që policia rrethoi banesën dhe i bëri thirrje për t’u dorëzuar, 49-vjeçari ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre, ku fatmirësisht nuk pati asnjë të lënduar nga të shtënat me armë.

Gjata ishte në kërkim për armëmbajtje pa leje dhe forcat e policisë organizuan aksionin për kapjen e tij sapo morën informacion se 49-vjeçari po futej në banesë.

49-vjeçari ka qenë më parë person i dënuar për vrasje. Në shtëpinë e tij u sekuestrua arma e zjarrit kallashnikov si dhe një armë zjarri tjetër pistoletë dhe një palë dylbi.

Agim Gjata “identifikohet si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me rekorde të theksuara kriminale, në fushat e krimeve ndaj personit dhe të armëmbajtjes pa leje”, thuhet në njoftim.

Në vitin 2011 ai ishte arrestuar për vrasjen e Ndoc Çelikut në një rrugë dytësore. Ngjarja aso kohe ka pasur si shkak motivet e dobëta mes protagonistëve. Arrestimi i Gjatës edhe atëherë u bë pas një rrethimi prej 5 orësh dhe negociatash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë