Ngjarje

Shkodër/ Konflikt mes gjimnazistëve, 3 përfundojnë në spital (foto)

Nga Gazeta Si- Disa të rinj në Shkodër, nxënës të një gjimnazi, janë përfshirë në një konflikt të dhunshëm me thika dhe mjete të forta, ndërsa 3 prej tyre të moshës 18 vjeç, kanë mbetur të plagosur.

Të plagosurit, dy prej tyre vëllezër, janë transportuar në spitalin rajonal të Shkodrës dhe po marrin mjekim, ndërsa ndodhen jashtë rrezikut për jetën, sipas policisë. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të tregut të Zdrales në Shkodër dhe shkollës së mesme të gjuhëve të huaja.

Policia njofton se pas një konflikti për arsye banale, janë përfshirë në sherr me thika A. K. me F. Th. dhe K. Th. (vëllezër).

Nga vendi i ngjarjes vihet re edhe një xhup i lënë nga njëri prej të rinjve, ku shihen shenja gjaku dhe të çara që dyshohet se janë bërë me thikë.

Poshtë xhupit të gjakosur, gjendet një kapelë, mbi të cilën për ironi të fatit, shkruhet në anglisht: “Dhimbja nuk të lëndon!”

Kjo ngjarje vjen pas një serie incidentesh që kanë sjellë konflikte të rënda mes të miturve, ku më i fundit është vrasja e Erjon Bobës në Durrës, i cili u plagos me thikë pas një konflikti me një bashkëmoshatar, më 25 nëntor.

Pas disa ditësh në spital në betejë për jetën, 15-vjeçari ndërroi jetë më 4 dhjetor në Spitalin “Nënë Tereza”, ndërsa autori u arrestuar nga policia.

Po ashtu një tjetër tragjedi ndodhi një vit më parë në Tiranë, ku nxënësi i shkollës “Fan Noli”, Martin Cani, u vra me thikë nga një bashkëmoshatar i tij gjatë një sherri mes të miturve. Autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje, M.P., u dënua nga Gjykata e Tiranës me 16 vite burg.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë