Ka ndodhur

Shkodër / Kapen 3 pako me kokainë, arrestohet shoferi i furgonit në Muriqan

Gazeta Si – Rreth 3.4 kg kokainë dhe mallra kontrabandë janë sekuestruar në pikën kufitare të Muriqanit në Shkodër, ku policia ka vënë në pranga shoferin e një furgoni, i cili po transportonte lëndën narkotike të ndarë në 3 pako.

Gjatë operacionit u arrestua Adriatik Rrasa, 32 vjeç, banues në Lushnjë, i cili drejtonte furgonin ku u gjetën droga. Siç shihet edhe në video, droga ishte e ndarë në tre pako dhe i riu e kishte fshehur në tavanin e makinës. Policia ka ushtruar kontroll në makinë me qen antidrogë, çka çoi edhe në zbulimin e drogës së fshehur në tavanin e makinës.

“Si rezultat i intensifikimit të punës dhe kontrolleve në hyrje/dalje të vendit, me objektiva parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, lëvizjen e sigurt të shtetasve, si dhe eliminimin e radhës gjatë kësaj periudhe festive, shërbimet e PKK Muriqan, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër, finalizuan operacionin policor të koduar “Pakot”.

Nga kontrolli në furgon u gjetën gjithashtu 60 shishe me pije alkoolike dhe 1 televizor, që dyshohet se janë të kontrabanduara, pasi nuk ishin të pajisura me fatura blerjeje.

Lënda narkotike, mallrat, automjeti i të arrestuarit dhe 2 celularë të tij u sekuestruan nga Policia, në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë