Një 47-vjeçar u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e së dielës në Shkodër. Policia thotë se viktima është Prej Tonaj dhe ngjarja ndodhi rreth orës 19;15 minuta në fshatin Grudë e Re, kur një person i maskuar ka hyrë në ambientet e një lokali në qendër të fshatit dhe ka qëlluar disa herë me kallashnikov në drejtim Tonajt.
47-vjeçari morri plagë të shumta në pjesën e sipërme të trupit dhe burime nga policia konfirmojnë se ai ka humbur jetën në vend.
Autori menjëherë pas krimit u largua nga vendi i ngjarjes, ndërsa humbi gjurmët duket përfituar edhe nga errësira.
Policia ngriti postblloqe, ndërsa morri në pyetje personat që kanë qenë të pranishëm në momentin e ngjarjes në përpjekje për identifikimin e autorit dhe kapjen e tij.
Paraprakisht dyshohet se vrasja ka ndodhur për motive gjakmarrjeje, pasi familja e Prek Tonajt prej vitesh është përfshirë në një konflikt me një tjetër familje.
Më parë viktimës i janë vrarë edhe dy vëllezër të tjerë, njëri prej tyre është ekzekutuar në Dukagjin, ndërsa tjetri është vrarë në burg.
Tonaj, i cili ishte punonjës i Ujësjellës Kanalizimeve të Shkodrës, 11 vite më parë ka tentuar të marrë hak për vrasjen e vëllezërve, por Policia e Shkodrës parandaloi ngjarjen dhe arrestoi atë së bashku me Ndue Tonaj, 68 vjeç, banues në fshatin Vuksan dhe Ndoc Prelën, 44 vjeç, banues në lagjen “3 Heronjtë” në qytetin e Shkodrës.
Megjithatë nuk dihet ende nëse kjo ngjarje e 11 viteve më parë ka lidhje me ekzekutimin e të dielës.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë të disa bizneseve në rrugë për të identifikuar autorin e mundshëm të ngjarjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




