Gazeta Si – Një 3-vjeçar ka humbur jetën në Mjedë të Shkodrës, ndërsa motra e tij 7-vjeçe është në gjendje të rëndë në Spitalin Pediatrik në Tiranë.
Sipas burimeve paraprake, bëhet me dije se dy të miturit motër dhe vëlla janë intoksikuar nga një ilaç helmimi kundër minjve, ndërsa policia thotë se ata mbërritën në spital me shenja të virozës së stinës.
Mësohet se prindërit kishin kryer spërkatjen e një magazine me këtë substancë toksike, ndërsa kishin me vete edhe fëmijët.
Mendohet se ata mund të kenë thithur ose kanë pasur kontakt me helmin, duke shkaktuar simptoma të rënda që çuan në pasoja fatale.
Ndërkohë priten të dalin analizat nga QSUT, ku motra e të miturit është në shërbimin e reanimacionit në pediatri gjendje të rëndë.
Por tjetër informacion përcjellin burime në Spitalin e Shkodrës, të cilët thanë se trevjeçari është paraqitur me insuficencë kardiake, ndërsa nga ana e mjekëve janë ndjekur të gjitha protokollet.
Sipas tyre, prindërve që në ditën e parë u është kërkuar që të miturin ta lënë në observacion, por ata kanë këmbëngulur që ta marrin në shtëpi.
Sipas njoftimit të policisë, babai i dy të miturve, i ka dërguar dy fëmijët e tij në spitalin rajonal të Shkodrës të dyshuar me virozë, më datën 21 shkurt, të premten. Pas mjekimit ai ka marrë 2 fëmijët e tij dhe është larguar në banesë.
Për shkak të rëndimit në gjendjes shëndetësore të fëmijëve, në banesë, një ditë më pas, 22 shkurt, babai i tyre, shtetasi S. H. i ka dërguar përsëri 2 fëmijët për mjekim në Repartin e Pedriatrisë në Spitalin Rajonal Shkodër.
Pavarësisht ndihmës mjekësore, 3-vjeçari ka humbur jetën, ndërsa 7-vjeçarja u dërgua në QSUT, për mjekim të specializuar.
“Më datë 21.02.2025, shtetasi S. H. ka dërguar për mjekim në Repartin e Pedriatrisë në Spitalin Rajonal Shkodër, 2 fëmijët e tij, vajzën 7 vjeçe dhe djalin 3 vjeç, të dyshuar me virozë stine. Pas mjekimit, shtetasi S. H. dhe 2 fëmijët janë larguar në banesë. Për shkak të rëndimit në gjendjes shëndetësore të fëmijëve, në banesë, më datë 22.02.2025, shtetasi S. H. i ka dërguar përsëri 2 fëmijët për mjekim në Repartin e Pedriatrisë në Spitalin Rajonal Shkodër. Pavarësisht ndihmës mjekësore, 3-vjeçari ka humbur jetën, ndërsa 7-vjeçarja u dërgua në QSUT, për mjekim të specializuar”, – njofton policia.
Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së 3-vjeçarit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



