Ka ndodhur

Priten reshje intensive me vërshim lumenjsh nga moti i keq, disa akse të bllokuara nga shiu dhe dëbora

Gazeta Si - I gjithë territori i vendit pritet të ketë reshje me intensitet të lartë, të cilat do të jenë më të përqendruara në jug të territorit.

Këtë e ka bërë me dije drejtori i Drejtorisë së Gatishmërisë dhe Koordinimit të Përgjigjes Emergjente, Robert Hysenllari, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.

Në qarqet, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane të këtyre qarqeve mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara.

Në zonat malore në lartësitë 700 – 800 mbi nivelin e detit do të ketë reshje dëbore me intensitet të ulët.

Nga raportimet në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile nuk paraqiten problematika të theksuara.

Niveli i lumenjve Drin dhe Buna janë nën nivelin kritik dhe lumenjtë e tjerë janë në kuota normale duke mos paraqitur problem për përmbytje. Kuotat e lumit Drin në pikëmatjen në Lezhë është në nivelin 0,5 m nga 2 m që është niveli kritik.

Në Shkodër në hidrometrin Ura e Bahçallëkut shënon kuotën 5,85 m nga 7,5 m niveli kritik. Niveli i liqenit në hidrometrin Ura e Bunës shënon kuotën 8,4 m nga 8,7 m niveli kritik. Niveli i lumit Vjosa në pikëmatjen Ura e Mifolit është 4,7 m nga 8 m që është niveli kritik.

Hidrovorët janë gatishmëri dhe po punojnë me kapacitet të plotë. Sasia e prurjeve në basenin ujëmbledhës të Fierzës ditën e sotme është 600 m3/s; në basenin ujëmbledhës Koman – Vau i Dejës është në Koman 290 m3/s dhe Vau i Dejës 50 m3/s. Në kaskadën e Drinit vijojnë shkarkimet me 303 m3/s. Shkarkimet në digën Ura e Fanit janë 39 m3/s.

Në hidrocentralin Ulëz dhe Shkopet shkarkimet janë 220 m3/s. Për sa i përket furnizimit me energji, ka problematika në të gjitha qarqet, më të pakta janë në qarkun Korçë dhe Kokës. Strukturat e OSHEE janë duke punuar në terren pa ndërprerje për të rikthyer energjinë elektrike në kohë.

Në qarkun e Shkodrës në total ka rreth 1400 ha tokë bujqësore të përmbytur. Në njësinë administrative Ana e Malit është 1300 ha dhe njësinë administrative Dajç është 100 ha.

Më qarkun e Lezhës ka zvogëlim të sipërfaqes së tokës së përmbytur nga 690 ha që ishte në datën 22 janar 2023 në 350 ha.

Në Bashkinë Lezhë janë 250 ha dhe në bashkinë Kurbin 200 ha. Për sa i përket infrastrukturës rrugore, vijon qarkullimi normalisht në të gjitha rrugët nacionale.

Vazhdon të jetë i lartë niveli i ujërave të “Përroit të Thatë” duke mbajtur të bllokuar segmentin rrugor Dedaj-Bogë, pikërisht në kilometrat 5,5 dhe 13,5, ku nëpërmjet sinjalistikës provizore kalimi orientohet në rrugë alternative. Rruga e Obotit vijon me prezencë uji edhe ditën e sotme me një nivel 65 cm, për të cilën Forcat e Armatosura po mundësojnë transportin e qytetarëve.

Aksi rrugor në Currila, Bashkia Durrës, i cili u bllokua mëngjesin e sotëm nga rrëshqitjet e dherave është pastruar nga strukturat e bashkisë dhe vijon qarkullimi normalisht.

Ministria e Mbrojtjes i bën thirrje qytetareve të shmangin udhëtimet me qëllime turistike në zonat ku ka prezence dëbore, të shmangin kalimet në rrugët me prezencë uji, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të qarkullojnë me goma dimërore dhe zinxhirë sipas rekomandimeve të autoriteteve rrugore dhe të njoftojnë strukturat vendore dhe operacionale në çdo rast nevoje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë