Ekonomi

‘Shkërmoqet’ besimi në ekonomi. Bizneset dhe qytetarët pesimistë për të ardhmen. Presin rritje çmimesh

Nga Gazeta ‘SI’ – Besimi në ekonomi “u shemb” gjatë muajit qershorit pas një pesimizmi të shtrirë në të gjithë sektorët e ekonomisë së vendit. Treguesi ra me 2.6 pikë në muajin qershor, megjithatë, qëndron 10.1 pikë përqindje mbi mesataren historike.

Treguesi i besimit në tregti shënoi rënien më të madhe në qershor, 4.8 pikë përqindje pas raportimit të uljes së kërkesës. Tregtarët presin rënie të punësimit dhe aktivitetit në të ardhmen, por rritje të çmimeve.

Ndonëse në sezon turistik, shërbimet janë pesimistë për aktivitetin e tyre. Besimi në fushën e shërbimeve ra me 3.8 p.p pasi ato presin rënie të kërkesës, por rritje të punësimit dhe çmimeve.

Besimi në ndërtim ra me 2 p.p, pas vlerësimit se ka reduktim të aktivitetit dhe kërkesës. Gjithashtu, pritjet për çmimet që do të vendosin në të ardhmen kanë regjistruar rënie, ndërsa ato për punësimin paraqiten në përmirësim .

Besimi në industri ra me 0.4 p.p ndikuar nga vlerësimet më pak optimiste për kontratat porositëse vendase dhe të eksportit. Pritjet e këtij sektori për punësimin në të ardhmen kanë regjistruar rënie ndërsa për çmimet e produkteve janë vlerësuar me rritje.

Besimi i konsumatorëve ra me 0.4 p.p, pasi ata shprehen jo të gatshëm për blerje të mëdha.   Konsumatorët vlerësojnë me rënie situatën e tyre financiare dhe situatën ekonomike të vendit në të ardhmen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë