Shkëndija e Tetovës ka vijuar dominimin në futbollin maqedonas edhe këtë sezon. Me fitoren 0-1 ndaj Rabotnickit, të arritur falë golit të shënuar përtej limiteve të kohës së rregullt nga Totre, kuqezinjtë tetovar kanë nisur zyrtarisht festën e kampionit.
Pas 32 javësh të kampionatin të Maqedonisë së Veriut, Shkëndija është në kuotën e 72 pikëve me një avantazh prej 13 pikësh ndaj Vardarit të vendit të dytë. Në Maqedoninë duhen edhe katër javë të tjera deri në mbylljen e kampionatit, por Shkëndija siguroi titullin dhe tashmë mund të relaksohet dhe të mendojë për kualifikueset për edicionin e ardhshëm të Champions League.
Ky është tituli i dytë radhazi në Superligën maqedonase për ekipin shqiptar që tashmë ka nisur një cikël dominues në futbollin e vendit fqinj. Shkëndija në dy vitet e fundit ka qenë shumë pranë për të marrë pjesë në fazën e grupeve të Ligës së Europës, por nuk ka pasur fat në fazën play off, pasi ka ndeshur ekipe të mëdha të Europës, si Milan apo Dinamo Zagreb.
Ky edicion i kampionatit maqedonas ka qenë i suksesshëm edhe për ekipet e tjera shqiptare, Shkupi dhe Renova që janë ende në garë për të marrë pjesë në kupat europiane këtë verë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



