Futboll

“Shkëndija” e Tetovës në kërkim të historisë

Me pezullimin e “Skënderbeut” në arenën ndërkombëtare, të paktën deri në daljen e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit Sportiv (CAS), do të jetë shumë e vështirë që një klub shqiptar të arrijë të luajë në të tilla nivele, siç kanë bërë korçarët në dy vitet e fundit. Por edhe pse duket shumë e vështirë, ka një shpresë që vjen nga Tetova e Maqedonisë. Quhet “Shkëndija” dhe ashtu siç dhe vetë emri, ky ekip sivjet ka ndezur shkëndija te shpresat e të gjithë shqiptarëve se edhe ata do të kenë një ekip përfaqësues në fazat e grupeve të Champions League.

Pas kalimit me jo pak vështirësi të raundit të parë, “Shkëndija” do të ketë një tjetër sfidë shumë të vështirë përballë. Ekipi tetovar të martën zbret në  fushën e stadiumit “Filipi i Dytë”, ku do të presë skuadrën kampione të Izraelit, “Sherifin e Tiraspolit”. Ndryshe nga përballja e parë, ku “Shkëndija” nisej favorite, përballë një ekipi si “New Saints”, këtë herë me skuadrën moldave gjërat ndryshojnë.

“Sherifi i Tiraspolit” është ekipi më me traditë në Moldavi dhe disafish më shumë i financuar se sa ekipi shqiptar. Në vitet e fundit ka marrë pjesë rregullisht në grupet e Ligës së Kampionëve apo të Ligës së Europës. “Sherifi i Tiraspolit” është skuadra që ka fituar më shumë tituj në Moldavi, duke përfshirë këtu kampionatin, Kupën dhe Superkupën. Në renditjen e përgjithshme të klubeve “Sherifi i Tiraspolit” është ndjeshëm më lartë se “Shkëndija” dhe disa lojtarë të saj janë pjesë bazë e ekipit kombëtar të Moldavisë.

Por këto të dhëna nuk e bëjnë aspak inferiore “Shkëndijën”. Skuadra tetovare është klubi më i mirë shqiptar në Maqedoni, madje sot mund të krenohet pasi, sa i përket futbollistëve dhe organizimit, është ekipi që qëndron më lart nga të gjithë. Në kampionatin maqedonas sezonin e shkuar fitoi me një shkëputje të madhe, duke mos e diskutuar në asnjë moment titullin e kampionit. Por edhe nga pikëpamja financiare, “Shkëndija” nuk ka pse ndihet e nënvlerësuar, pasi ka mbështetjen e një prej kompanive më të mëdha në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë, siç është “Ekolog”. Tashmë “Shkëndija” e ka lënë pas atë krize të para 4 viteve , ku rrezikonte falimentin dhe është duke ecur në rrugën e saj për të shkruar historinë dhe të vijojë atë rrugë të lënë përgjysmë nga “Skënderbeu” i Shqipërisë. Ekipi tetovar ishte shumë pranë hapit të madh dhe historik vitin e fundit, por u ndal për të mos shkuar në fazën e grupeve të Ligës së Europës nga Milani i madh.

U duk si një luhatje e frikshme ajo që ndodhi javën e fundit në Uells, ku nga një fitore 5-0 në ndeshjen e parë në Maqedoni, u mposht në shifrat 4-0 në transfertë. Por gjithsesi kjo nuk e zbeh formën dhe punën e madhe të këtij ekipi për të arritur objektivin. Me largimin e një lojtari si Hasani, dihej që do të kishte një rënie të nivelit sidomos në repartin organizativ të lojës, por në Tetovë janë mundur që me afrimet e reja të disa lojtarëve cilësorë, ta mbushin këtë boshllëk. Do të jetë shumë interesante për të parë se si Qatip Osmani do ta hedhë në fushë skuadrën e tij mbrëmjen e së martës në Stadiumin “Filipi i Dytë”, pasi “Shkëndija” njihet si një ekip me filozofi sulmuese dhe nuk pranon të mbyllet mbrapa. Por me një sulm si ai “Sherifit të Tiraspolit” me Bakajn në krye, edhe një tërheqje mbrapa nuk do të ishte një ide e keqe për ekipin tetovar.

Në rast të një kalimi të këtij turi, “Shkëndija” e Tetovës do të përballet me një skuadër të një tjetër niveli, siç është “Salzburgu” i Austrisë. Nëse Shkëndija shkon deri në sfidën me Salzburg, do të thotë se njëkohësisht ka prerë edhe biletën për në fazën “play off” të Europa League.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë