Futboll

Shkëndija dhe Drita fitojnë në shtëpi, bie Dinamo në Poloni

Nga Gazeta Si – Dy fitore dhe një humbje për skuadrat shqiptare në “Europa League” dhe “Conference League”. Rezultat identik në Shkup dhe Prishtinë, 2-1 që ruan shpresat e kuqezinjve nga Tetova për një vend në fazën e Ligës në “Europa League” (eleminimi i dërgon në fazën e Ligës në “Conference League”).

Si dhe konfirmon forcën e Dritës që duket në rrugë të mbarë për eleminimin e dytë të Differdange (e eleminoi në raundin e 1-rë të “Champions League”) dhe mbërritjen për të parën herë në fazën e Ligës në “Conference League”.

Nëse ja del, Drita do të jetë skuadra e dytë pas Ballkanit që shkon në fazën e grupeve/ Ligës në kupat e Evropës. Latifi (35’) dhe Ibraimi (60’) përmbysën avantazhin e Ludogorets (Duarte 17’) në “National Arena Todor Proeski” në Shkup.

Ndërsa Dabiqaj (30’) dhe Krasniqi (80’) zhvleftësuan barazimin e Differdange (Busch 65’) në “Stadiumi Fadil Vokrri” të Prishtinës.

Mfoumou (90’) u ndëshkua me karton të kuq për miqtë nga Luksemburgu dhe nuk do të luajë një javë më pas.

Jagiellonia-Dinamo City 3-0

Shumë e fortë Jagiellonia në shtëpi ndaj Dinamo City-t që mesa duket me humbjen 3-0 në “Stadion Miejski w Białymstoku” në Bialystok e ka mbyllur kthimin në Evropë pas më shumë se dy dekadash.

Jonuzi, Bregu dhe Berisha nuk ishin në gjëndje të shënonin asnjë gol nderi. Ndërsa Imaz (12’), Pululu (34’) dhe Wojtuszek (50’) mposhtën Teqjan në çdo pjesë. Një javë më pas kryeqytetasit do të provojnë gjithçka për gjithçka.

Nëse nuk arrijnë përmbysjen, të paktën të largohen me kokën lart nga Conference League.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë