Shkencë

Shkencëtarët zbulojnë kimikate nga plastika dhe kozmetika në gjakun e grave shtatzëna dhe fëmijëve të tyre

Shkencëtarët amerikanë zbuluan kimikate gjatë një studimi të 30 grave shtatzëna, përfshirë 55 kimikate që nuk janë parë kurrë te njerëzit dhe 42 ‘kimikate misterioze’ pa përdorime të njohura.

Besohet gjithashtu se të gjitha kimikatet kanë qenë prej kohësh në trup, por vetëm tani janë zbuluar përmes përdorimit të spektrometrisë me rezolucion të lartë, një teknologji që është përdorur vetëm në dekadën e fundit.

Një ekip në Universitetin e Kalifornisë në San Francisko (UCSF) vëzhgoi kimikatet në gjakun e grave, si dhe në fëmijët e tyre të porsalindur, duke sugjeruar që ato udhëtonin përmes placentës së nënës.

Megjithëse kimikatet janë të panjohura, studiuesit dyshojnë se ato ka shumë të ngjarë të vijnë nga produkte të konsumit të tilla si kozmetika dhe plastika.

Spektrometria me rezolucion të lartë (HRMS) u zhvillua për herë të parë rreth 50 vjet më parë, por vetëm në 10 vitet e fundit u bë e përballueshme për komunitetin shkencor.

“Ky mjet është i aftë të analizojë lëndën organike të tretur duke e goditur atë me një rreze drite që shkëlqen përmes një mostre dhe e ndan atë në pjesë të ndryshme bazuar në grimcat”, tregojnë shkencëtarët.

Pas kësaj, secili element kimik dhe përbërës është më vete dhe kështu shkencëtarët kanë mundësinë ti përcaktojnë ato individualisht.

Përmes HRMS, analiza zbuloi 662 kimikate.

Studiuesit pastaj kombinuan shembuj të ngjashëm, i renditën ato dhe identifikuan 109 rezultate unike, shumë prej të cilave vijnë nga produkte të ndryshme të konsumit.

Përafërsisht 40 kimikate përdoren si plastifikues, 28 në kozmetikë, 25 në produkte të konsumit, 29 si produkte farmaceutike, 23 si pesticide.

Ekipi identifikoi gjithashtu dhe shtatë përbërës që përdoren kryesisht në qilima dhe tapiceri dhe janë të krijuara nga njerëzit.

Tracey J. Woodruff, pedagoge e obstetrikës, gjinekologjisë dhe shkencave riprodhuese në UCSF thotë se këto kimikate kanë qenë me njerëzit për shumë kohë por vetëm tani mund ti identifikojnë.

“Është shumë shqetësuese kur mendojmë se sa shumë kimikate ndodhen në trupin e njeriut dhe se sa të pasigurt jemi”, thotë Woodruff.

Burimi: Daily Mail. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë