Shendet

‘Shkencëtarët po na vënë në rrezik’ / Hulumtimet e fundit mbi viruset duhet të ngrenë alarmin

"Ne jemi të shqetësuar se si disa shkencëtarë po eksperimentojnë me viruse në mënyra që mund të na vënë të gjithëve në rrezik. Ajo që na shqetëson janë masat e pamjaftueshme të sigurisë që studiuesit morën kur studionin koronavirusin".

Nga Gazeta Si- Ekziston një pyetje qendrore me të cilën përballen shumë shkencëtarë: Si mund të nxisin zbulimet shkencore përparimin e njerëzimit pa paraqitur një rrezik të madh për të? Ekspertët e viruseve janë të përkushtuar ndaj kërkimeve që zbulojnë kërcënimet pandemike dhe ndihmojnë në mbrojtjen e njerëzve prej tyre. Por ne jemi të shqetësuar se si disa shkencëtarë po eksperimentojnë me viruse në mënyra që mund të na vënë të gjithëve në rrezik.

Në një studim të botuar në revistën shkencore Cell, një grup studiuesish raportuan zbulimin e një koronavirusi te lakuriqët e natës që ka potencialin të përhapet te njerëzit.

Në një seri eksperimentesh, shkencëtarët tregojnë se ky virus, HKU5-CoV-2, mund të infektojë në mënyrë efikase qelizat e njerëzve dhe një gamë të gjerë qelizash të tjera shtazore. Gjetjet rrisin mundësinë që njerëzit dhe kafshët e tjera mund të infektohen nga ky virus. Ky koronavirus i përket një nëngrupi virusesh që klasifikohen së bashku me atë që shkakton MERS dhe që mund të ketë shkallë vdekshmërie shumë më të lartë se ajo e virusit që shkaktoi pandeminë Covid.

Instituti i Virologjisë në Wuhan, ku shumë nga studiuesit punojnë ose kanë punuar, është në qendër të polemikave në lidhje me origjinën e pandemisë Covid. Ne nuk nënkuptojmë se instituti është përgjegjës për pandeminë Covid dhe as nuk kemi ndonjë siguri që ky virus i sapo zbuluar ka potencialin të shkaktojë një tjetër. Ajo që na shqetëson janë masat e pamjaftueshme të sigurisë që studiuesit morën kur studionin këtë koronavirus.

Laboratorët e kërkimit kanë nivele të ndryshme sigurie, bazuar në kategorizimin e tij në një shkallë të nivelit të biosigurisë, nga BSL-1, më i ulëti, në BSL-4. Laboratorët e sigurisë më të ulët përdoren për studimin e agjentëve infektivë që ose nuk shkaktojnë sëmundje te njerëzit ose paraqesin vetëm rrezik të moderuar. Laboratorët e sigurisë më të lartë janë për studimin e patogjenëve që mund të përhapen në ajër dhe që kanë potencialin të shkaktojnë infeksione vdekjeprurëse.

Laboratorët BSL-4 janë ato të paraqitura në filma ku shkencëtarët ecin me ato që duken si kostume hapësinore me tuba ajri dhe dush në dhomat e dekontaminimit kur puna e tyre përfundon. Laboratorët BSL-3 kufizojnë aksesin tek anëtarët e stafit të trajnuar posaçërisht, kanë dyer të dyfishta mbyllëse për siguri të shtuar dhe sisteme specifike të trajtimit të ajrit dhe sterilizimit. Punëtorët mbajnë pajisje mbrojtëse personale nga koka te këmbët dhe janë nën mbikëqyrje mjekësore për shenja të infeksionit të fituar nga laboratori që mund të përbëjë rrezik për të tjerët.

Vendimet rreth nivelit të masës paraprake të përshtatshme për kërkime zakonisht merren nga shkencëtari kryesor i studimit dhe një komitet institucional i biosigurisë që përfshin shkencëtarë, mjekë, administratorë dhe anëtarë të komunitetit lokal.

Studiuesit pas studimit në Cell filluan duke studiuar virusin e ri në mënyra që nuk kërkojnë rritje të virusit të gjallë, si përmes analizës kompjuterike. Por pasi vërtetuan se virusi mund të infektojë qelizat njerëzore, studiuesit kryen eksperimente me virusin plotësisht infektiv. Ata nuk i kryen këto eksperimente në një laborator BSL-3 ose BSL-4, por në një laborator të përshkruar si BSL-2 plus, një emërtim që nuk është i standardizuar dhe i pa njohur zyrtarisht nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe që ne mendojmë se është i pamjaftueshëm për të punuar me viruse respiratore potencialisht të rrezikshme.

Kjo punë me sa duket u miratua nga komiteti lokal institucional i biosigurisë dhe iu përmbajt standardeve kombëtare të biosigurisë. Por nuk mjafton për të punuar me një virus të ri që mund të ketë rreziqe të konsiderueshme për njerëzit në mbarë botën.

Këtu qëndron një problem thelbësor që bota duhet ta trajtojë. Shkencëtarët dhe politikëbërësit në SHBA kanë shpenzuar vite duke diskutuar dhe debatuar se si të rregullojnë kërkimet e rrezikshme të viruseve, ndonjëherë në mënyrë të diskutueshme. Por kjo punë ndodh edhe në vende të tjera dhe jo të gjitha vendet i qasen pyetjeve për sigurinë e kësaj pune në të njëjtën mënyrë. Pra, vendimet e një vendi se si t’i qasemi studimit të patogjenëve të rrezikshëm mund të shkojnë vetëm kaq larg.

Kudo në botë që bëhet puna me viruse që kanë potencialin të bëhen kërcënim për shëndetin publik duhet të kufizohet në objekte dhe shkencëtarë të përkushtuar ndaj nivelit më të lartë të sigurisë. Si agjencia kryesore ndërkombëtare e shëndetit publik, Organizata Botërore e Shëndetësisë duhet të marrë drejtimin në qartësimin rigoroz të këtyre standardeve.

Por ne kemi nevojë për mekanizma të tjerë për të siguruar që studiuesit në mbarë botën të ndjekin rregullat. Agjencitë brenda dhe jashtë qeverisë që financojnë këtë lloj pune duhet të kërkojnë prova që hetuesit përmbushin standardet globale. Revistat shkencore duhet të kenë standarde të ngjashme për studimet që pranojnë.

Javën e kaluar ishte 50-vjetori i Samitit të Asilomarit të vitit 1975, ku shkencëtarët u mblodhën për të vendosur udhëzime për kërkimin me mikrobet e modifikuara gjenetikisht. Sot shumë zbulime dhe kërcënime të tjera janë në horizont. Hulumtimi potencialisht i rrezikshëm duhet të bëhet pa masat e duhura paraprake për të parandaluar përhapjen e qëllimshme ose aksidentale.

*Shkruar nga Ralph Baric, shkencëtari punoi me studiuesin kryesor të koronavirusit në Wuhan, dhe Ëalter Ian Lipkin profesor i Epidemiologjisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë