Tashmë një pacient i paralizuar plotësisht është në gjendje të shtypë fjalë për të folur me familjen e tij, pasi vendos një pajisje të cilën ai mund ta kontrollojë me anë të mendjes së tij.
Gjetjet, të publikuara në “Nature Communications”, përmbysin supozimet e mëparshme në lidhje me aftësitë komunikuese të njerëzve që kanë humbur të gjithë kontrollin vullnetar të muskujve, duke përfshirë lëvizjen e syve ose gojës, si dhe duke dhënë një pasqyrë unike se si është të jesh i paralizuar.
Sindroma e paralizimit- e njohur edhe si pseudokoma – është një gjendje e rrallë, ku njerëzit janë të vetëdijshëm dhe mund të shohin, dëgjojnë dhe nuhasin, por nuk janë në gjendje të lëvizin ose të flasin për shkak të paralizës së plotë të muskujve të tyre të vullnetshëm.
Disa mund të komunikojnë duke ndezur ose duke lëvizur sytë, por ata me sindromën e paralizimit total (CLIS) nuk mund të kontrollojnë as muskujt e syrit. Në vitin 2017, mjekët në Universitetin e Tübingen në Gjermani u mundësuan tre pacientëve me CLIS t’u përgjigjen “po” ose “jo” pyetjeve duke zbuluar modele treguese në aktivitetin e trurit të tyre. Mjekët e bënë këtë duke përdorur një teknologji të quajtur spektroskopia funksionale me rreze infra të kuqe. Kjo gjë më pas u bë mediatike dhe bëri që prindërit e pacientit që u përdor në studim, t’i shkruanin ekspertëve për ndihmë.
Problemi me përdorimin e rrezeve infra të për të ndihmuar pacientët CLIS për të komunikuar, është se kjo procedurë është relativisht e ngadalshme dhe jep përgjigjen e saktë vetëm në 70% të rasteve, që do të thotë se pyetjet duhet të përsëriten për të marrë një përgjigje të besueshme.
“Ishte gjithmonë qëllimi ynë që t’i mundësonim një pacienti në një gjendje plotësisht të paralizuar të shqiptojë fjalë, por me një saktësi klasifikimi prej 70%, është pothuajse e pamundur të mundësohet komunikimi i lirë,” tha Ujwal Chaudhary, një inxhinier biomjekësor në Gjermani, i cili bashkë-drejtoi studimin.
Në vend të kësaj, ata sugjeruan implantimin kirurgjik të dy grupeve mikroelektrodash, secila prej 3.2 mm katror, në pjesën e trurit të burrit të përfshirë në planifikimin dhe kontrollin e lëvizjeve vullnetare. Për shkak se ai kishte ende kontrollin e lëvizjeve të syve të tij, ai ishte në gjendje të pranonte procedurën, megjithëse ai ka qenë plotësisht i paralizuar që nga fundi i vitit 2018.

Duke punuar me studiuesit, djali i ri mësoi se si të gjeneronte aktivitet të trurit që mund të ndryshonte frekuencën e një valë zanore, nëpërmjet një programi kompjuterik. Më pas ai aplikoi të njëjtën strategji për të kontrolluar një program drejtshkrimi, i cili i lejon atij të zgjedhë shkronjat një nga një për të formuar fjalë dhe fraza me një shpejtësi mesatare.
Midis komunikimeve të tij, 36-vjeçari nga Gjermania, ka kërkuar supë pule dhe birrë – pavarësisht se ushqehej përmes një tubi. Ai i ka kërkuar nënës së tij masazh në kokë.
“Nëse po formon fjali të tilla, do të thosha se është pozitive. Edhe nëse nuk është pozitive, nuk është negative. Një herë kur isha atje, ai tha, ‘faleminderit për gjithçka, motër’ [motrës së tij, e cila e ndihmon të kujdeset për të]. Ishte një moment emocionues”, tha Chaudhary.
Ndërsa Jonas Zimmermann, një neuro-shkencëtar i lartë në Qendrën Wyss në Gjenevë, Zvicër tha më tej se hulumtimi i përgjigjet gjithashtu një pyetjeje të gjatë “nëse njerëzit me CLIS humbasin gjithashtu aftësinë e trurit të tyre për të gjeneruar komanda për komunikim”,
Ai shtoi se komunikimi i suksesshëm është demonstruar më parë me ndërfaqet tru-kompjuter (BCI) te individët me paralizë.
“Sipas njohurive tona, i yni është studimi i parë që ka arritur komunikimin nga dikush që nuk ka pasur asnjë lëvizje vullnetare dhe për të cilin BCI tani është mjeti i vetëm i komunikimit”, shtoi Zimmermann.
Chaudhary shpreson të zhvillojë më tej teknologjinë, të mundësojë shqiptimin më të shpejtë të fjalëve dhe të krijojë një fjalor fjalësh ose fjalish të zakonshme që pacientët të zgjedhin midis tyre – megjithëse nevojiten studime të mëtejshme për të demonstruar sigurinë dhe efikasitetin e pajisjes.
Burimi: The Guardian/ Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



