Shendet

Shkencëtarët gjejnë mënyrën si të ‘zhdukin’ HIV-in nga qelizat

Shkencëtarët kanë mundur të eleminojnë me sukses HIV nga qelizat e infektuara, duke përdorur teknologjinë e modifikimit të gjeneve Crispr, fituese e çmimit Nobel.

Duke punuar si ‘gërshërë’, por në nivel molekular, teknologjia pret ADN-në në mënyrë që pjesët “e këqija” të mund të hiqen ose çaktivizohen.

Shpresa është që përfundimisht të jemi në gjendje të çlirojmë trupin tërësisht nga virusi, megjithëse nevojitet shumë më tepër punë për të kontrolluar se ai do të jetë i sigurt dhe efektiv.

Ilaçet ekzistuese të HIV-it mund ta ndalojnë virusin, por jo ta eliminojnë atë.

Ekipi i Universitetit të Amsterdamit, duke paraqitur një përmbledhje, ose abstrakt, të gjetjeve të tyre të hershme në një konferencë mjekësore këtë javë, theksoi se puna e tyre mbetet thjesht “provë e konceptit” dhe nuk do të ketë një kurë për HIV-in tani shpejt.

Dhe Dr James Dixon, profesor i teknologjive të terapisë së gjeneve dhe qelizave staminale në Universitetin e Nottingham, pajtohet, duke thënë se gjetjet e plota ende kërkojnë shqyrtim.

“Do të nevojitet shumë më tepër punë për të demonstruar rezultatet në këto analiza qelizore”, tha ai.

Shkencëtarë të tjerë po përpiqen gjithashtu të përdorin Crispr kundër HIV.

Dhe kompnia ‘Excision BioTherapeutics’ thotë se pas 48 javësh, tre vullnetarë me HIV nuk kanë efekte anësore serioze.

Por Dr Jonathan Stoye, ekspert i viruseve në Institutin Francis Crick, në Londër, tha se heqja e HIV nga të gjitha qelizat që mund ta mbajnë atë në trup ishte “jashtëzakonisht sfiduese”.

“Efektet anësore të mundshme afatgjata mbeten një shqetësim”, tha ai, duke shtuar se prandaj ka shumë gjasa që do të kalojnë shumë vite përpara se një terapi e tillë e bazuar në Crispr të bëhet kurë, edhe duke supozuar se mund të tregohet se është efektive.

HIV infekton dhe sulmon qelizat e sistemit imunitar, duke u bërë kopje e vetvetes.

Edhe me trajtim efektiv, disa kalojnë në një gjendje pushimi ose latente kështu që ato ende përmbajnë ADN-në, ose materialin gjenetik, të HIV-it, edhe nëse nuk prodhojnë në mënyrë aktive virusin e ri.

Shumica e njerëzve me HIV kanë nevojë për terapi antiretrovirale gjatë gjithë jetës. Nëse ndalojnë marrjen e këtyre ilaceve, virusi i fjetur mund të rizgjohet dhe të shkaktojë sërish probleme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë