Virusi i gripit të shpendëve që është përhapur midis shpendëve të egër dhe gjitarëve mund të çojë në një pandemi më të keqe se Covid-19 nëse pëson mutacion për t’u transmetuar midis njerëzve, tha kreu i qendrës së infeksioneve të frymëmarrjes të Institutit Pasteur në Francë.
Gripi i shpendëve shumë patogjen, ka çuar në eliminimin e qindra miliona shpendëve në vitet e fundit, duke ndërprerë furnizimin me ushqim dhe duke rritur çmimet, megjithëse infeksionet njerëzore mbeten të rralla.
“Ajo që na frikëson është se virusi po përshtatet me gjitarët, dhe veçanërisht me njerëzit, duke u bërë i aftë të transmetohet nga njeriu te njeriu, dhe ky virus do të ishte një virus pandemik”, tha për Reuters Marie-Anne Rameix-Ëelti, drejtoreshë në qendrën e infeksioneve të frymëmarrjes të Institutit Pasteur.
Instituti Pasteur ishte ndër laboratorët e parë europianë që zhvilloi dhe ndau teste zbulimi të Covid-19.
Njerëzit kanë antitrupa kundër gripit të zakonshëm sezonal H1 dhe H3, por asnjë kundër gripit të shpendëve H5 që prek shpendët dhe gjitarët, ashtu siç nuk kishin asnjë kundër Covid-19, tha ajo.
Dhe ndryshe nga Covid-19, i cili prek kryesisht njerëzit vulnerabël, viruset e gripit mund të vrasin edhe individë të shëndetshëm, përfshirë fëmijët.
“Një pandemi e gripit të shpendëve ndoshta do të ishte mjaft e rëndë, potencialisht edhe më e rëndë se pandemia që përjetuam”, tha ajo.
Ka pasur shumë raste të njerëzve të infektuar nga viruset e gripit të shpendëve H5 në të kaluarën, përfshirë H5N1 që qarkullon aktualisht midis shpendëve dhe lopëve të qumështit në SHBA, por këto shpesh ishin në kontakt të ngushtë me kafshët e infektuara. Një rast i parë njerëzor i H5N5 u shfaq në shtetin amerikan të Uashingtonit këtë muaj. Burri, i cili kishte sëmundje të mëparshme, vdiq javën e kaluar.
Në raportin e saj të fundit mbi gripin e shpendëve, OBSH tha se kishte pasur gati 1,000 shpërthime tek njerëzit midis viteve 2003 dhe 2025, kryesisht në Egjipt, Indonezi dhe Vietnam, nga të cilat 48% kishin vdekur.
Megjithatë, rreziku i zhvillimit të një pandemie njerëzore mbetet i ulët, tha për Reuters Gregorio Torres, kreu i Departamentit të Shkencës në Organizatën Botërore për Shëndetin e Kafshëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



