Analize

Shkëmbimi i territoreve, ose hapja e “portave të ferrit” në Ballkan

Nga Xhuliana Toci- Dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në tavolinë duket se janë hedhur hapur tezat për shkëmbimin e territoreve me Serbinë dhe ndryshimin e kufijve mes dy vendeve fqinje. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ishe i pari që sugjeroi se Mitrovica e Veriut, një trevë e pasur, e  populluar kryesisht nga serbët, mund t’i rikthehet sërish Beogradit. Në këmbim, Lugina e Preshevës, e banuar kryesisht nga shqiptarët, mund t’i rikthehet sërish Kosovës.

Pak pas këtyre deklaratave, Vuçiç dha edhe një intervistë për revistën kroate të lajmeve “Globus”, ku  theksonte ndër të tjetra se Serbia do të përpiqet të rifitojë sa më shumë territor që të jetë e mundur. "Është më mirë të fitojmë diçka, sesa asgjë," tha presidenti serb, i cili ende nuk ka përshkruar me detaje planin e tij, i cili që mund të jetë pa dyshim zhvillimi më madh i bisedimeve shumë vjeçare midis Serbisë dhe Kosovës, të cilat nuk kanë arritur ende normalizimin e marrëdhënieve, pavarësisht ndërmjetësimit të Bashkimit Europian.  Po a do të ishte shkëmbimi i territoreve zgjidhja më e mirë për dy  armiqtë e vjetër të rajonit? Dhe a do të hapte kjo marrëveshje plagët e vjetra të Ballkanit?

Efekti domino

Një sërë ekspertësh  druhen se nëse Serbia dhe Kosova e çojnë deri në fund marrëveshjen për shkëmbimin e territoreve, një efekt “domino” do të hapte sërish “portat e ferrit” në mbarë Ballkanin. Në kohën kur rajoni po punon fort për të ardhmen europiane dhe zgjidhjen  e konflikteve ndër-entike, siç ishte ajo e emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, ndryshimi i kufijve të Ballkanit nuk do të zgjidhte rrëmujën e shkaktuar vite më parë, përkundrazi do ta fuste rajonin drejt një rrugë pa kthim. Ka serbë që jetojnë në Kosovë. Në Bosnjë Hercegovinë ata kanë republikën e tyre (Republika Srpska). Ka boshnjakë (myslimanë) që jetojnë në Serbi, po ashtu shqiptarë që jetojnë në Serbi,  Maqedoni apo Mal të Zi.

Mitrovica

Shkëmbimi i territoreve mes Beogradit dhe Prishtinës, do hapte plagët e vjetra për të gjitha këto komunitete, të cilat pavarësisht integrimit në vendin ku jetojnë,  kanë këmbëngulur prej kohësh të rikthehen në “atdhe”.  Një shkëmbim i tillë është parë për herë të fundit në vitin 1923, kur Greqia dhe Turqia ranë dakord të shkëmbenin rreth 2 milionë njerëz. Qytetarët ortodoksë grekë që jetonin në Turqi u dërguan në Athinë dhe myslimanët nga Greqia u dërguan në Ankara. Ishte një zhvendosje brutale, por prej atij viti, Greqia dhe Turqia kanë ndaluar së luftuari. I  vetmi vend ku grekët dhe turqit janë përplasur është Qiproja, ku popullatat greke dhe turke vazhdojnë të bashkëjetojnë me njëra-tjetrën, ndërsa tensionet i kanë shoqëruar në dekada.

Edhe në atë kohë, marrëveshja midis Greqisë dhe Turqisë, frymëzoi të gjithë nacionalistët në Ballkanin perëndimor. Mes viteve 1918 dhe 1950, shumë myslimanë u inkurajuan të largoheshin nga Jugosllavia dhe të vendoseshin në Turqi, pavarësisht se në kohën e rënies në vitet 1990, Jugosllavia vazhdonte të ishte bashkësi popujsh. Deri në vitin 1995 rajonet e populluara nga serbët e Kroacisë ishin të zbrazëta dhe qindra mijëra serbë, kroatë dhe boshnjakë ishin larguan me forcë nga shtëpitë e tyre, ashtu siç Beogradi dëboi më vonë mijëra shqiptarë të Kosovës nga trojet e tyre.  Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, mijëra serbë u detyruan të lënë trojet shqiptare, por 120,000 prej tyre vazhdojnë të jetojnë në Kosovë. Tanimë autoritetet serbe kërkojnë marrjen e pjesës veriore të Kosovës, duke argumentuar se shtetet multi-etnike në Ballkan kanë dështuar njëherë e përgjithmonë.

Por siç shkruante edhe “The Economist” disa muaj më parë, Vuçiç dhe politikanët shqiptarë që mbështetin këtë tezë, janë duke injoruar faktin se fillimi i procesit të shkëmbimit të territoreve do të hapte një rrugë të përgjakshme në Ballkan.  Nëse Kosova dhe Serbia fillojnë bisedime serioze për rivendosjen e kufijve të tyre, komunitetet e tjera etnike të Ballkanit do të hidheshin në “veprim”. Serbët dhe boshnjakët do të mbanin një referendum mbi të ardhmen e Republikës Serbe, kroatët e Bosnjës do të ndiqnin më pas shembullin e tyre, ndërkohë që boshnjakët do të luftonin për të parandaluar ndarjen e vendit të tyre. Përtej kufirit Serbia do të shtypte nacionalistët boshnjakë në Sanxhak, të cilët ëndërrojnë të shkëputen. Ndërkohë shqiptarët në Maqedoninë perëndimore dhe Malin e Zi do të kërkonin të bashkoheshin me Shqipërinë. Përkrahësit e kësaj ideje do të dëshironin gjithashtu të përfshijnë në hartën e Shqipërisë etnike edhe disa pjesë të Greqisë veriore, ndërsa nacionalistët grekë do të kërkonin një pjesë të Shqipërisë së Jugut.

Popullsia entike shqiptare ne Ballkan

Madje një shkëmbim territoresh në Ballkanin Perëndimor mund të ketë pasoja të mëdha, për të gjithë kontinentin europian. Në fund të fundit, nacionalistët hungarezë nuk e kanë kaluar ende humbjen e Transilvanisë në Rumani dhe nacionalistët rumunë do të dëshironin të rivendosin kufijtë e tyre për të marrë Moldavinë. Ashtu siç tha edhe një zyrtari  i lartë i BE-së, disa muaj më parë shkëmbimi i territoreve mes Serbisë dhe Kosovës do të "hapte portat e ferrit" në Ballkan?

Pro apo kundër shkëmbimit të territoreve?

Deklarata e Vuçic dhe “miratimi i heshtur” i politikanëve të Kosovës se një marrëveshje e tillë është hedhur tashmë në tavolinë, ka ngjallur një sërë reagimesh si në Prishtinë ashtu dhe në Beograd. Të mërkurën, Kisha Ortodokse Serbe paralajmëroi shkëmbimi i territoreve do të nënkuptonte braktisjen e serbëve të shpërndarë anembanë Kosovës. Peshkopi ortodoks serb, Teodosije, ka paralajmëruar se është kundër një ndarjeje të tillë, duke argumentuar se pakica e vogël serbe që jeton në Kosovën qendrore do të detyrohej të emigronte gjithnjë e më shumë, për t’u bashkuar  më “vëllezërit e saj në Serbi”. 

Sipas shumë analistëve serbë, ironia më e madhe e shkëmbimit të territoreve është fakti se shumica e serbëve të Kosovës jetojnë aktualisht në jug të vendit. Pra, marrëveshja për marrjen e Mitriovicës, nuk do t'i lejonte ata të jetonin në Serbi dhe me siguri ata do të duhet të largoheshin nga shtëpitë e tyre për t’u bërë pjesë e shtetit serb.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës janë duke kërkuar që çështja e kësaj treve të përfshihet në kuadër të dialogut Prishtinë – Beograd. Liderët shqiptarë të Preshevës, të Medvegjës e të Bujanocit kanë propozuar sërish që e gjithë Lugina të bashkohet sa më parë të jetë e mundur me Republikën e Kosovës. Zyra e Presidentit Thaçi konfirmoi nga ana tjetër se të drejtat e trevës së banuar nga shqiptarët do të përfshihet në procesin e dialogut Kosovë - Serbi. Por propozimet e shkëmbimeve të territoreve janë kundërshtuat hapur nga Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili hodhi poshtë hartimin e një marrëveshjeje të tillë, duke thënë se ndarja e Kosovës do të nënkuptonte "luftë".

Federica Mohgerini, Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi

“Ndarja e Kosovës për mua është luftë. E them këtë pa hezitim. Është mjaft e rrezikshme të flitet për shkëmbim territoresh ", tha Haradinaj, më 19 korrik- Nuk ka ndarje, asnjë shkëmbim territoresh, apo lëvizje të kufijve. Është e rrezikshme, nuk mund të bëhet në këto rrethana.

Kosova, SHBA ndryshon qëndrim?

Serbia i ka hedhur prej kohësh sytë nga Administrata e re Amerikane me shpresën se Presidenti Donald Trump do të “devijojë” politikën e jashtme të SHBA-ve në lidhje më  Kosovën. Ka qenë ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç ai ka deklaruar së fundmi se Administrata e re amerikane ka ndryshuar qëndrim ndaj çështjes së Kosovës dhe se tashmë mbështet hapur një zgjidhje kompromisi mes dy palëve.

"Tanimë administrata amerikane është e gatshme të flasë në mënyrë të barabartë për propozimet tona dhe mbështet një zgjidhje të qëndrueshme për problemin e Kosovës. Mbështetja e SHBA-ve dhe arritja e një zgjidhje kompromisi është një stimulim i madh për Serbinë”, thuhej në një njoftim për shtyp të publikuar nga Ministria serbe e Punëve të Jashtme.

Kreu i diplomacisë serbe ishte në një vizitë dy-ditore në Shtetet e Bashkuara, k mori pjesë në një konferencë ministrore kushtuar lirive fetare dhe në një ceremoni për të shënuar 100 vjetorin e ngritjes së flamurit serb në Shtëpinë e Bardhë . Daçiç tha se administrata e re amerikane e Presidentit Donald Trump krijoi një "atmosferë më të favorshme" për shprehjen e qëndrimeve të Serbisë dhe se ka një "mirëkuptim më të madh" të pozicionit të Beogradit, si dhe dëshirë për të normalizuar marrëdhëniet midis dy vendeve. Ministri i Jashtëm serb theksoi ndër të tjera se bisedimet që pati me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Presidentit Trump, John Bolton  ishin shumë konstruktive dhe u mbajtën nën një atmosferë shumë pozitive.  Ai shtoi se Bolton i kishte komunikuar se administrata Trump beson se politika amerikane drejt Ballkanit është vjetruar,  pasi u përcaktua 20-30 vjet më parë".

Por a është e mundur që Amerika të ketë ndryshuar vërtet qëndrim ndaj Kosovës? John Bolton, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Presidentit Trump, ishte një nga kundërshtarët më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës, në kohën kur ishte Ambasador i SHBA-ve në OKB.  Në vitin 2008 Bolton u shndërrua në zërin më të fuqishëm të skepticizmit ndaj pavarësisë së Kosovës, duke deklaruar se ajo do të ishte një rrezik i madh për stabilitetin  e rajonit dhe se do të përhapte separatizëm kudo në Europë. Dhe në fakt, emërimi i tij u prit me entuziazëm të jashtëzakonshëm nga serbët, të cilët shpresonin se qëndrimi i tij ndaj Kosovës do të zbuste edhe qëndrimin e Presidentit amerikan ndaj Serbisë. Duke parë rezultatet e vizitës së Daçiç në SHBA, mund të aludohet se Bolton nuk ka ndryshuar mendje në lidhje me Kosovën. Por a do të pasqyrohet kjo në politikën e jashtme amerikane?

John Bolton dhe Ivica Dacic

Sipas kreut të diplomacisë serbe, vizita e tij në Shtetet e Bashkuara ishte shumë domethënëse dhe solli rezultate të mira për Serbinë. Daçiç deklaroi se vizita në SHBA krijoi një mundësi e madhe për të folur për rivendosjen e marrëdhënieve midis Uashingtonit dhe Beogradit".

Por i pranishëm në Uashington ishte para pak kohësh edhe ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, i cili uk nguroi të zyrtarizonte qëndrimin e Shqipërisë ndaj planeve për shkëmbimin e territoreve.

I pyetur për këtë marrëveshje, ai u shpreh se:  “Mendoj se kjo do të shkonte kundër frymës së të gjitha përpjekjeve të bëra në Ballkan gjatë tre dekadave të fundit. Do të shkonte kundër frymës së Aktit Final të Helsinkit dhe dokumenteve të tjera ndërkombëtare me vlerë ligjore. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos hapim kutinë e Pandorës për raste të tjera në rajon. Shtetet e Bashkuara, BE dhe NATO kanë investuar shumë në promovimin e multietnicitetit të Ballkanit, për të siguruar që shoqëritë të mbeten të hapura. Unë e di shumë mirë se është një sfidë e vështirë për të ndërtuar shoqëri dhe institucione që i shërbejnë këtij qëllimi, por ne duhet të vazhdojmë në këtë rrugë.”

Bushati u pyet gjithashtu për dialogun Kosovë-Serbi, për të cilin deklaroi se a ardhur koha për Serbinë dhe Kosovën që të bëjnë lëshime më të dhimbshme.

“Është shumë e qartë se për Serbinë nuk ka pranim në BE pa njohjen e Kosovës. Për Kosovën, nuk ka rrugë drejt BE-së apo NATO-s pa adresuar çështjet që kanë të bëjnë me Serbinë apo pakicën serbe në Kosovë”, u shpreh kreu i diplomacisë shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë