Kosova

Shkëmbimi i territoreve, ish-këshilltari i Trump pranon negociatat me Thaçin e Vuçiç

John Bolton, ish-këshilltari i ish-presidentit amerikan për Sigurinë Kombëtare, Donald Trump, u shpreh se gjatë kohës që ka qenë në detyrë njëkohësisht me ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, është folur edhe idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kur isha këshilltar i Sigurisë Kombëtare dhe flisja me presidentin Thaçi dhe me presidentin Vuçiç, ajo mundësi, pra korrigjimi i vogël territorial, është shqyrtuar dhe është diskutuar. Nëse do të mund ta kapërcenim shpërbërjen e Jugosllavisë në vitin 1991 dhe unë e di që historia shkon shumë më larg se 30 vjet, atëherë ajo mund të jetë pjesë e një pakete më të madhe që do të na çonte drejt një zgjidhjeje, – kujton Bolton. – Nëse njerëzit nuk dëshirojnë të flasin për korrigjimin e territorit, ngushtohen opsionet për zgjidhje dhe pa dyshim krijohet një situatë në të cilën është më e vështirë të gjesh një zgjidhje”.

Në lidhje me shkëmbimin e territoreve, Bolton pohoi se qeveria e Kosovës “ka të gjithë të drejtën të thotë se nuk dëshiron të diskutojë për këtë çështje, “por unë mendoj se atëherë praktikisht do të thotë se nuk do të ketë progres në negociata” u shpreh John Bolton për “Kosovo Online”.

Bolton tha se BE-ja ishte e pakënaqur kur ai kishte tentuar të ndërhynte në dialogun mes dy vendeve. “Kur tentova të përzihesha, me sugjerimin e ish-kryeministrit britanik Tony Blair, kur isha këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, evropianët ishin shumë të pakënaqur kur dëgjuan për interesimin tim. BE ka negociuar për më shumë se një dekadë pa ndonjë përparim të rëndësishëm dhe SHBA do të kontribuonte në një perspektivë të re”.

Sipas Boltonit, prioritet për të gjithë duhej të ishte arritja e një marrëveshjeje, madje edhe nëse do të nevojitej të bëhen kompromisee që duken të dhimbshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë