Politike

Shkëmbimi i pronave publike me privatët në Kushtetuese? Dhurata Çupi: Do kërkoj edhe firmat e deputetëve të PS që nuk e votuan

Nga Gazeta Si - Grupi parlamentar i PD po shikon mundësinë e një padie të re në Gjykatën Kushtetuese për të ndaluar atë që e quan shkatërrim me ligj të pronësisë publike. Deputetja Dhurata Çupi tha në një intervistë për Gazeta Si se bëhet fjalë për ndryshimet e reja në ligjin që i jep të drejtë qeverisë të shkëmbejë prona me privatin, si dhe t’i japë të drejtë privatit të shembë godina publike, kur ato janë pjesë e lejes zhvillimore të dhënë nga qeveria.

“Personalisht mund t’ju konfirmoj se do të ndërmarr nismën për t’u kërkuar kolegëve të mbështesin kërkesën për shfuqizimin e këtij ligji. Besoj se me argumentet e duhur juridike, do të kem mbështetjen e kolegëve opozitarë.” tha zonja Çupi e cila, për herë të parë, do të bëjë një përpjekje për të marrë firma edhe nga socialistët, si Erion Braçe apo Pandeli Majko që nuk i votuan këto ndryshime.

“Është detyrim minimal ndaj shqiptarëve të vendosin dinjitetin dhe interesin publik mbi atë personal”, u shpreh zonja Çupi për Gazeta Si, duke dhënë edhe një mesazh të fortë për SPAK-un.

Gazeta Si: Pse i dhatë aq shumë rëndësi në parlament ndryshimeve në ligjin për privatizimin e pronës shtetërore?

Dhurata Çupi: I dhamë rëndësi si çdo ligji të kësaj maxhorance që zhbën shtetin me favore klienteliste. Ky është ndër ligjet më skandaloze të kaluara në 11 vite të qeverisjes socialiste. Aq flagrant është, sa mbetet një nga ligjet më pak të votuara edhe nga vetë grupi parlamentar i PS. Psh Erion Braçe dhe Pandeli Majko nuk e votuan, bashkë me disa kolegë të tjerë socialistë. Megjithatë, ajo që prisja prej tyre ishte më shumë. Duhet ta kishin ngritur edhe më shumë zërin, të lobonin kundër këtij ndryshimi që i jep të drejtë qeverisë të shkëmbejë pronat e saj me privatin, pa vendosur asnjë kriter. Ndryshimet ia lënë këtë tagër qeverisë pa asnjë kufizim. Ndryshimi erdhi si nismë deputetësh, por është e qartë se prapa tyre qendron dora e korruptuar e qeverisë. Si opozitë ne luajtëm një rol aktiv, bëmë publik ndryshimet e fshehta që po bëheshin në komisione. Mënyra okulte sesi erdhën në parlament, me një qasje të dyshimtë, na tërhoqën vëmendjen dhe ne i denoncuam. Përmbajtja e ndryshime është një ftesë për korrupsion. Ne e dimë që shteti s’ka fituar kurrë nga të tilla skema dhe se ato janë kthyer në shkatërruese të pronës publike në përfitim të klientëve të qeverisë. Një pikë tjetër skandaloze në këtë ligj është dhënia e të drejtës për subjektet private, që janë pajisur me leje zhvillimore që të shembin pasuritë shtetërore, të cilat gjenden brenda zonës ku jepet leja zhvillimore. Pra qeveria jep leje për një investim, kjo leje përfshin dhe pronë shteti, privatit i jepet e drejta që të shembë godinën e shtetit dhe të vazhdojë investimin. Ky është një ligj klientelist-korruptiv dhe së shpejti do të mësojmë edhe për kë është bërë.

Gazeta Si: Pse nuk i kërkuat deputetëve nismëtarë socialistë të bëjnë publike rastet që u bënë model për këto ndryshime? Zoti Shalsi tha se kishte 2-3 raste që po pengoheshin nga mangësitë ligjore.

Dhurata Çupi: Fakti që nuk ka sqarime dhe shpjegime nga ana e PS, nuk do të thotë se ne nuk u kemi kërkuar të bëjnë transparencë. E kemi bërë këtë si në mbledhjet e komisioneve, edhe në seancën plenare. U kërkuam të na citojnë rastet që, sipas tyre, kishin sjellë në vëmendje problematikën, por askush nuk dha përgjigje. U përpoqën ta kalojnë këtë çështje me devijime dhe ironi të pavenda, por e kam të qartë se nga u vjen kjo arrogancë dhe shpërfillje për llogaridhënien. Duke qenë se kjo qeveri, PS, e ka shndërruar blerjen e votës në sistem, ata besojnë se janë të përjetshëm në pushtet. Në fakt, nuk është kështu. Asnjë regjim nuk mund të mbetet në këmbë për shumë gjatë, vëçanërisht kur rrethohemi nga vende të Bashkimit Europian apo vende si fqinjët tanë, të cilat janë shumë më lart se ne në standardet zgjedhore dhe respektimin e votës së qytetarëve. Rotacioni politik do të ndodhë dhe çdokush nga kjo qeveri që luan bixhoz me pasuritë publike, do të japë llogari.

Gazeta Si: A nuk është më pragmatist sesa paragjykimi juaj për korrupsion propozimi i deputeteve socialistë që vendos në punë prona publike të pashfrytëzuara, të keqmenaxhuara nga shteti, duke ia dhënë privatit në këmbim të një prone tjetër?

Dhurata Çupi: Nuk ka asnjë paragjykim. Në 11 vite, qeveria ka provuar se është e aftë të shkëmbejë gjithçka të mirë që ka vendi për përfitime personale, klienteliste, korruptive. Po ju përmend vetëm ligjin e investimeve strategjike, i cili u miratua vetëm për një periudhë të përcaktuar me qëllim tërheqjen e investimeve të huaja. Aktualisht, nuk ka asnjë investim madhor strategjik të huaj, por ligji është shtyrë tre herë deri tani. Prej tij kanë përfituar vetëm klientë të qeverisë, bashkëpunëtorë dhe miq të Edi Ramës që kanë ndërtuar vila në bregdet, me lejen e qeverisë. Nuk ka asnjë paragjykim, sepse raportet e KLSH-së faktojnë abuzimin me pronën publike në rreth 200 milionë euro çdo vit. Po kur abuzojnë me qeratë e këtyre pronave, nuk do të abuzojnë me shkëmbimin e tyre me privatin?! Kjo qeveri e ka kthyer korrupsionin në sistem, prandaj ne nuk do të lodhemi duke denoncuar të tilla ligje, që janë pasqyra reale e qeverisjes së korruptuar të PS.

Gazeta Si: Thirrja juaj për tërheqjen e ndryshimeve nuk u mor parasysh nga maxhoranca. Keni një mesazh për qeverinë, e cila do të percaktojë me vendim se çfarë pronash mund të shkëmbehen me privatin?

Dhurata Çupi: Është e vërtetë që kërkova tërheqjen e nismës nga punimet e parlamentit, edhe në shenjë mirëbesimi për bashkëpunim mes palëve. Ju kujtohet që pak ditë më parë, kryeministri e ftoi opozitën në një komision të posaçëm antikorrupsion dhe për mirëqeverisjen, që të shohim dhe të ndryshojmë së bashku ligjet që çojnë përpara ekonominë dhe shtetin e së drejtës. Me ndryshimet e së enjtes së kaluar, u provua hipokrizia e kryeministrit dhe se ftesa ishte në fakt një detyrim i kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë. Siç e shoh unë, qeveria zgjodhi që këtë nismë antikushtetuese, korruptive, klienteliste, kundër interesit publik, ta fusë në parlament përmes deputetëve të saj, për t’i shpëtuar një hetimi të mundshëm nga SPAK-u. Sado që të përpiqen të fshihën pas sovranitetit të deputetëve, asgjë nuk ka për t’i shpëtuar. Mesazhi im është për SPAK, jo për qeverinë. Të hetojë lobimin e këtij ligji zhvatës për pasuritë publike. Jam e bindur se, herët apo vonë, drejtësia do të veprojë ndaj të gjithëve.

Gazeta Si: Ju e cilësuat ligjin antikushtetues, por a do ta ndërmarrë PD nismën për ta çuar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese?

Dhurata Çupi: Shpresoj që po. Jemi në fazën e diskutimit. Personalisht mund t’ju konfirmoj se do të ndërmarr nismën për t’u kërkuar kolegëve të mbështesin kërkesën për shfuqzimin e këtij ligji. Besoj se me argumentet e duhur juridike, do të kem mbështetjen e kolegëve opozitarë. Megjithatë, nuk do ta lë me kaq. Do t’u kërkoj firmën edhe atyre deputetëve socialistë që nuk e votuan ligjin në seancën plenare. Është detyrim minimal ndaj shqiptarëve të vendosin dinjitetin dhe interesin publik mbi atë personal.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë