Futboll

Shkëlqejnë shqiptarët e Zvicrës, fitore 6-0

Kur janë në formë shqiptarët, fitorja për Zvicrën është më e thjeshtë. Skuadra “helvete” ka fituar bindshëm në ndeshjen e parë në Ligën e Kombëve në shifrat 6-0 përballë Islandës. Në këtë triumf tenistik, tre gola u shënuan nga lojtarët me origjinë shqiptare, Xherdan Shaqiri, Admir Mehmedi dhe Albjan Ajeti.

Ndeshja rezultoi shumë më e lehtë përballë Islandës që dukej e shndërruar nga ajo skuadër që mori pjesë në kampionatin botëror, “Rusi 2018”. Goli i parë do të vinte që në minutën e 13’. Ai që shënon është Zuber që u asistua nga milanisti Rodriges. Pas këtij goli, nuk vonoi të mbërrinte edhe rrjeta e dytë nga “helvetët”. Në minutën e 23’ ai që gjen rrugën e golit ishte Denis Zakaria. Me dy gola të pësuar, Islanda u duk sikur u dorëzua, pasi nuk kishte shanse të merrte diçka nga kjo ndeshje.

Por në pjesën e dytë do të fillonte festivali i vërtetë i golave. Ai që çel siparin është Xherdan Shaqiri. Sulmuesi i Liverpool shënon golin e tretë në minutën e 53’. Pas Shaqirit do të katërfishonte avantazhin Hariz Seferoviç që e çoi në rrjetë topin e pasuar nga Fabian Schar. Golin e pestë për Zvicrën e shënon sërish një lojtar më origjinë shqiptare, por këtë herë është talenti Albjan Ajeti. Deri në fund ka kohë edhe për një gol të gjashtë nga futbollisti me origjinë nga Tetova, Admir Mehmedi, i cili vulos rezultatin në 6-0 për Zvicrën.

Me këtë triumf Zvicra është e para në grupin e saj dhe me shumë gjasa nuk do të ketë probleme në kalimin e grupit si lidere, për të synuar kualifikimin për në kampionatin europian të vitit 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë