Drejtësia

Shkarkohet prokurori i Tiranës, Julian Xhengo. Probleme me pasurinë dhe pastërtinë e figurës

Nga Gazeta Si – Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra Prokurorin e Tiranës, Julian Xhengo.

Vendimi u mor këtë të mërkurë nga trupa gjykuese e kryesuar nga Xhensila Pine, relatore Firdes Shuli dhe anëtar Olsi Komiçi.

Gjatë verifikimeve Xhengo rezultoi me probleme në justifikimin e pasurisë dhe pastërtisë së figurës.

DSIK ka depozituar dy raporte të ndryshme për prokurorin Xhengo, ku në të dytin ka konstatuar papërshtatshmëri për dyshime për përfshirje në veprime të paligjshme. Xhengo e kundërshtoi informacionin e DSIK duke e cilësuar si të përgjithshëm dhe të pabazuar në fakte. Ai theksoi se DSIK nuk kishte specifikuar asnjë rast konkret.

Relatorja Shuli evidentoi një rast kur nga sistemi TIMS rezultonte se subjekti kishte udhëtuar jashtë shtetit së bashku me disa persona të tjerë nga pika kufitare e “Hanit të Hotit”, por nuk konstatohej kthimi i tij me mjetin që kishte dalë. Sipas Shulit, nga sistemi TIMS rezultonte që Xhengo të ishte kthyer një vit më vonë me automjetin e tij.

Komisioni konstaton se mjeti me të cilin subjekti dhe persona të tjerë kanë kaluar përmes pikës kufitare “Hani i Hotit” ishte në pronësi të shtetasit S.Sh, i përfshirë në krimin e organizuar, megjithëse nuk rezultonte që të ishte drejtuar prej tij gjatë atij udhëtimi.

Shuli vërejti se subjekti ka deklaruar si pronar të mjetit një tjetër person dhe jo shtetasin S.Sh., që rezultonte i proceduar për krim të organizuar.

Prokurori Xhengo deklaroi se nuk e njihte personin në fjalë, e aq më pak të dinte që ishte i proceduar. Ai shtoi se kishte deklaruar si pronar të mjetit personin që e drejtonte makinën gjatë udhëtimit.

Ai kundërshtoi edhe konstatimin për kthimin e tij në Shqipëri pas një viti, duke argumentuar se rezultonte e provuar se kishte qenë duke ushtruar detyrën e prokurorit në atë periudhë. Sipas tij, kjo situatë ishte krijuar për faj të punonjësve të pikës kufitare, pasi nuk kanë shënuar hyrjen e tij në Shqipëri. Ai solli si argument faktin se nga të dhënat e TIMS për këtë udhëtim, rezultonte se dy nga personat me të cilët kishte kaluar pikën kufitare nuk ishin regjistruar në dalje, por vetëm në hyrje.

Ndërkohë KPK ka konstatuar edhe zvarritje të hetimeve nga ana e prokurorit për çështje të ndryshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë