Me dy vota pro dhe një kundër, prokurori i Prokurorisë së Tiranës Ardian Braho është shkarkuar nga Vettingu këtë të hënë për shkak se nuk ka mundur të justifikojë burime financiare për disa pasuri të paluajtshme.
Ai u përball para disa ditësh me një sërë pyetjesh në lidhje me mundësitë financiare të prindërve të tij në blerjen e dy apartamenteve, fillimisht para se ai të fillonte detyrën si prokuror dhe së dyti në vitin 2007.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vuri në dukje se nga hetimi, prindërit e prokurorit nuk kishin pasur burime të ligjshme për blerjen e dy pasurive dhe se prokurori nuk kishte mundur të provonte me dokumente të ardhurat e ligjshme për punën private të nënës dhe të babait.
Në fakt, Braho ka qenë prokuror i disa çështjeve të rëndësishme në Tiranë, ku nga më të fundit ka administruar dhe hetuar vrasjen e të riut Klodian Rasha në kryeqytet nga një polic.
Nevaldo Hajdaraj u dënua me 15 vite burg për vrasjen e Rashës, dënim që për shkak të gjykimit të shkurtuar shkoi në 10 vite.
Më herët, ish-prokurori, ka pasur në ngarkim në të shkuarën mjaft dosje të ashtuquajtura “të nxehta”. Mes çështjeve kryesore që ka hetuar, është ajo e Lulzim Bashës, për Sheshin “Skënderbej”. Kur mori detyrën si kryebashkiak, Basha vendosi të ndryshonte projektin, duke nxjerrë jashtë loje të gjitha investimet që ishin bërë deri në atë kohë.
Basha u akuzua për dëm ekonomik, por prokurori Ardian Braho vendosi që të pushonte çështjen, me argumentin se vendimi ishte marrë nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.
Gjithashtu Ardian Braho ka hetuar Bankën e Shqipërisë dhe ish-guvernatorin Ardian Fullani, pas një raporti të KLSH-së. Akuza ishte për dëm ekonomik pas një auditi të bërë nga KLSH, por ish-prokurori vendosi ta pushonte çështjen për mungesë të provave.
Prokurori që u shkarkua nga Vettingu, ka pushuar po ashtu edhe çështjen e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çako, i cili u akuzua nga opozita në vitin 2016 për përdorimin e pajisjes së përgjimit “Imsi Catcher” pa marrë leje nga autoritetet.
Braho ka hetuar edhe çështjen e një aparati përgjues në zyrën e sekretares së ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Ai ka qenë prokuror edhe në çështjen hetimore ndaj ish-kreut të Inspektoratit Ndërtimor të Tiranës, Florenc Hoxha, për shpërdorim detyre dhe prishje të ndërtesave në kundërshtim me ligjin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




