Ka ndodhur

Shkarkohet kreu i Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit

Ngjarjet e rënda të sigurisë publike që kanë tronditur vendin në javët e fundit kanë “këputur kokën” e parë në strukturat e Policisë së Shtetit.

Gjovalin Loka, kreu i Departamentit të Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit është shkarkuar nga kjo detyrë.

Loka u emërua në këtë post në shkurt të 2018-s pas largimit të Altin Qatos që mori postin e drejtuesit të Policisë së Shtetit në Qarkun e Elbasanint.

Para emërimit si drejtor në këtë departament, Gjovalin Loka ka mbajtur postin e Drejtorit të Policisë në Qarkun e Shkodrës dhe atë të shefit të Komisariatit numër 1 në Tiranë. Loka ka drejtuar edhe policinë e Vlorës dhe atë të Lezhës, si dhe ka qenë Drejtor Rendi në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në vitin 2013.

Ai ka një përvojë të gjatë në strukturat e Policisë së Shtetit dhe mban gradën “Drejtues i Parë”.

Ndryshimet në rangjet drejtuese të Policisë së Shtetit u paralajmëruan nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi në konferencën e parë për shtyp pas aksidentit tragjik në rrugën Fier-Vlorë, ku u shua një familje me katër anëtarë dhe masakrës së Velipojës ku nga shkëmbimi i zjarrit për një konflikt për shfrytëzimin e hapësirave të plazhit mbetën të vrarë katër persona të tjerë.

“Po përgatitemi për një fazë të re të reformës dhe të forcës parandaluese dhe goditëse të Policisë së Shtetit. Brenda kësaj jave, do të nisë një ndryshim i thellë me titullarët e strukturave të policisë së shtetit në nivel qarku, që do të shtrihet hap pas hapi në nivel kapilar në çdo komisariat të territorit”, paralajmëroi Çuçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë