Komisioni parlamentar i Ligjeve nisi sot diskutimet mes deputetëve për procedurën e shqyrtimit të kërkesës së disa deputetëve për fillimin e procedurës së shkarkimit të Presidentit të Republikës. Pjesë e diskutimit të deputetëve është bërë pikërisht letra e presidentit drejtuar komisionit, i cili kontestonte procesin e shkarkimit duke e cilësuar si një verbëri politike dhe që nuk i shërbente zgjidhjes së krizës politike. Në letrën e tij presidenti shprehej se dekreti kishte për qëllim këtë shtensionimin e situatës politikës dhe gjetjen e një zgjidhjeje.
“E kam njoftuar Presidentin për mbledhjen e komisionit Kreu i Shtetit i ka kthyer përgjigje Komisionit të Ligjeve me shkrim dhe nuk e çmon të nevojshme të paraqitet para komisionit. Kjo nuk e pengon punën e komisionit për të vijuar procedurën e shkarkimit”, deklaroi kryekomisioneri Ulsi Manja.
Socialisti Bashkim Fino e cilësoi si fyerje letrën e Metës, duke e paragjykuar sipas tij, procesin e ndërmarrë nga Parlamenti. Sipas tij, presidenti ka vetëm një kompetencë të nxjerrjes së datës së zgjedhjeve, e hyn në grupin e kompetencave formale të tij.

Deputeti i opozitës së re, i dalë nga listat e LSI-së, Ralf Gjoni doli kundër kësaj procedure shkarkimi, duke u shprehur se kjo është një shou politik. “Kush e përcakton se Presidenti ka shkelur Kushtetutën? Nuk jam pro Dekretit të Presidentit, pasi nuk është i bazuar në Kushtetutë, por unë besoj në institucione dhe këtë mund ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese. Është i nxituar vendimi për shkarkimin e Presidentit. Kjo procedurë shkarkimi është një lojë politike për të bërë shou televiziv”, deklaroi Gjoni.
Por deputeti i Gjoni ka debatuar me socialistin Braho sa i përket procedurës së shkarkimit. Socialisti Fino ka deklaruar se “më bën përshtypje letra e Metës pasi ka përdorur një gjuhë ironike, paragjykuese dhe hipokrite”.
Deputeti Gjoni ka debatuar në lidhje me socialistin Braho. “Më vjen mirë që një koleg i joni, zoti Fino, ndonëse ekonomist në profesion paraqiti me kompetencë arsyet pse dekreti i presidentit është i pabazuar në ligj e Kushtetutë. Ndërkohë që vërej deputetë të tjerë nuk e kanë kuptuar akoma pse kanë ardhur sot. I dashur Ralfi, dekreti i presidentit nuk është llastik për të mbathura, që mund të të hapet sa herë dhe sa të duash. Është shtyllë dhe neni 92/2 thotë Presidenti i Republikës dekreton zgjedhjet. Nuk ka më as ç’dekret as njoftim, as vendim. Zhdekretimi që ai ka paraqitur nuk parashikohet fare në Kushtetutë. Ne sot nuk jemi mbledhur për të shkarkuar presidentin, kuptoje dhe këtë, jemi mbledhur për të nisur një procedurë që do të konkretizohet me ngritjen e një komisioni hetimor, apo grupi hetimor që do të konstatojë nëse është shkelje e rëndë apo jo dhe më pas do të vendoset. E kupton këtë që të them apo jo”, deklaroi Braho.

Për deputetin socialist shkelja e Metës është e rëndë megjithatë të ngrihet një komision hetimor. “Mund të bëj thirrje që ti të jesh anëtar i atij komisioni dhe ta shikosh me sytë e tu që presidenti e ka shkelur rëndë Kushtetutën”, iu drejtua Braho. Por kjo shkaktoi një përplasje me Gjonin. “Kontrolloni anëtarët e komisionit si flasin. Nuk jemi në komunizëm. Zoti Braho mbaroi komunizmi. Me të njëjtën mendësi juriste në 1990 ju kaluat 7501 dhe i morët të drejtën e pronësisë çdo qytetari shqiptar. Mos na bëni arrogancë juridike. Mos mu drejto mua . Nëse ke problem me presidentin adresoja presidentit. Edhe fjalët kursej. Kujdes se nuk je prokuror”, theksoi Gjoni, i cili kërkoi që të kryekomisioneri të kontrollojë gjuhën që po përdoret në mbledhje.
Deputeti i PD-së, Alban Zeneli u shpreh se përplasjes mes Kuvendit dhe Presidentit, është një debat mes të majtës. “Ju ishit që e zgjodhët Ilir Metën si president, edhe si kryeministër në kohë. Mua më vjen mirë që e keni ndërmend jush. Debati juaj sjell probleme mes shqiptarëve dhe kjo më vjen keq, pasi dashuri dhe urrejtja juaj mes të majtëve, nuk duhet të kthehet në një kosto. Vota jonë është kundër edhe ndaj presidentit, edhe ndaj kryeministrit, se këtë luftë për pushtet edhe kur kanë dashuri dhe urrejtje kanë shkaktuar pasoja ndaj popullit shqiptar”, tha ai.

Deputeti i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi u shpreh se do të votojë kundër kësaj nismeje, pasi nuk është në përputhje me interesin kombëtar. “Jam dakord me ju që gjuha e përdorur nga presidenti nuk është e duhura, e bazuar në ligj e Kushtetutë. Është proces i rremë, shprehet presidenti. Sjellja juaj politike në këtë rast nuk është në përputhje me interesin kombëtar. Kështu që votoj kundër në lidhje me këtë çështje”, theksoi Alimadhi.
Socialistët ndërkohë kanë shkarkuar të gjithë pakënaqësitë e tij në lidhje me veprimet dhe qëndrimet e presidentit Meta, i cili dy vite më parë u zgjodh me votat e tyre në Parlament.
Deputeti i PS-së, Alket Hyseni u shpreh se presidenti me shkresën e sjellë nëpërmjet sekretares së Përgjithshme të Presidencës ka anashkaluar procedurën e Rregullores, pasi sipas tij, përgjigjen duhet ta kthente vetë Meta. “Duhet ta sjellë vetë Presidenti. Ai nuk i përgjigjet kërkesës së Kuvendit, sado e zonja të jetë kjo Zonja, unë mendoj se nuk mund të zëvendësojë Presidentin, duke shkelur Rregulloren edhe etikën. Gjendemi në kushtet kur një president nuk është më presidenti i Republikës. Që kur mori detyrën e presidentit bëri fushatë elektorale. Zonja e parë që duhet të ishte e Presidencës u bë lidere politike, pavarësisht se Kushtetuta nuk e parashikon një rast të tillë, por është n i paprecedent në demokraci që ekziston një gjë të tillë. Me 100 vota u miratua Rezoluta, 100 shuplaka që i dhanë do t’i mjaftonin presidentit. Unë po të isha si ai mund të jepja dorëheqjen. Ky sot nuk ka më mbështetjen e Kuvendit qoftë edhe me rezolutë”, tha Hyseni.

Socialistët e tjerë e cilësuan si fyese, ironike letrën e paraqitur nga presidenca, duke qenë si një nga shpërfillje ndaj këtij institucioni.
Për socialistët dekreti për anulimin e zgjedhjeve ka kontribuar jo për të ushtruar detyrën në atë që përfaqëson unitetin e popullit, por sipas siç tha deputetja Klotilda Bushka, ka thelluar ndasitë, duke rritur tensionin.
Deputeti Adnor Shameti u shpreh se “ndryshimi i datës së zgjedhjeve nuk është një prerogativë e Presidentit, është nul dhe konsiderohet se nuk ka ekzistuar ndonjëherë”. “Disa nga shkeljet kushtetuese janë: Cenon rëndë të drejtën e zgjedhësve, ka shkelur parimet e unitetit kombëtar, ka shkelur parimin e periodicitetit të zgjedhjeve, shtyrja dhe mos vendosja e datës e shkelet periodiciteti që mandati është katërvjeccar; parimi i sovranitetit të popullit shkelet; zgjatet tej afateve kushtetuese të mandatit të të zgjedhurve vendor; shkeli rëndë traditën kushtetuese të konsultimit të palëve. Në 2007 dhe 2017 ishte një rast tjetër që u realizua me marrëveshje, pa cenuar periudhën zgjedhore. Vetë dekreti i kalon këto afate përtej 15 shtatorit 2017”, u shpreh Shameti.

Për kryetarin e komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja i gjithë debati për presidentin nis dhe mbyllet te neni 1 i Kushtetutës, që sanksionon që Shqipëria është Republikë Parlamentare. Ai e cilësoi nul aktin e presidentit, si dhe kërkoi që të pjesë e komisionit hetimor edhe letra e presidentit e dërguar në Kuvend. “Pjesë e saj të jetë edhe dokumenti i Presidentit për letrën drejtuar Komisionit të Ligjeve. E konsideroj përmbajtjen e saj, me një gjuhë ironike, hipokrizi, por edhe fyese për institucionin nga ku ka lindur Presidentit. Të fyesh atë është edhe një arsye më tepër që komisionin hetimor parlamentar të përfshihet në hetimin si pjesë e veprimtarisë së Kuvendit. Është shumë e vogël një nëpunëse e administratës civile për të gjykuar jo këtë komision, por Parlamentin si mbartës të sovranit të popullit”, theksoi Manja. Gjoni kërkoi që të komisioni t’i drejtohet edhe një herë letër presidentit për t’u paraqitur për t’u mbrojtur, por një gjë e tillë u refuzua nga Manja, i cili theksoi se procedura parashikon që të kreu i shtetit të mbrohet edhe në komisionin hetimor, në rast seanca do të votojë pro nismës së 55 deputetëve socialistëve.
Ndërkaq është vendosur që të mërkurën dy relatorët Adnor Shameti dhe Klotilda Bushka duhet të paraqesin raportin me qëllim për t’u votuar në seancën e parlamentit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





