Politike

Shkarkimi i Presidentit/ PS nuk humb kohë, fton Metën të mbrohet

Socialistët nuk kanë humbur kohë me procedurat për shkarkimin e Presidentit dhe mbase të enjten e 27 qershorit, tre ditë përpara zgjedhjeve, do të votojnë në Parlament për ngritjen e komisionit hetimor për të vërtetuar atë që mazhoranca e konsideron shkeljen të rëndë të Kushtetutës, nëpërmjet zhdekretimit të datës 30 qershor.
Komisioni i Ligjeve ka shqyrtuar sot kërkesën e 55 firmëtarëve që kërkojnë shkarkimin presidentit. Taulant Balla dhe Ervin Bushati ishin deputetët që mbrojtën nismën në komision, duke paraqitur arsyet se pse Presidenti me zhdekretimin ka shkelur rëndë Kushtetutën, duke u shprehur se ai ka marrë edhe kompetencat e Parlamentit.
Balla deklaroi se nisma e ka kaluar kushtin e ¼ të deputetëve dhe se Komisioni duhet të paraqesë brenda 15 ditëve raportin në seancë për t’u votuar.

Komisioni i Ligjeve mbledhja e sotme


Nisma e paraqitur u shoqërua me jo pak debate nga ana e deputetëve të opozitës parlamentare. Deputeti Ralf Gjoni u shpreh se pse përse duhej të ndërmerrej një procedurë kaq ekstreme për shkarkim, ku precedenti i 2007-ës, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ia kalon atë Gjykatës Administrative për shqyrtim. “Ne nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, pse ju po i futeni një korridori kushtetues në një kohë që ka një precedent për akt administrativ?”, deklaroi Gjoni.
Ndërsa deputeti Andi Përmeti, tashmë përfaqësues i Bindjes Demokratike, iu drejtua socialistëve nëse mbajnë përgjegjësi për faktin se e kanë zgjedhur Metën në postin e presidentit. Por ai ndan bindjen se dekreti i Metës për anulimin e zgjedhjeve e ka acaruar akoma më tej situatën. “Dekreti i presidentit e ka acaruar më tepër konfliktin civil. A ndjeni përgjegjësi ju zoti Balla, ju si PS a ndjeni përgjegjësi se në rresht votuat Ilir Metën si president? A ndjeni përgjegjësi për këtë situatë, që e dinit shumë mirë që Ilir Meta ishte trashimiglënësi i fronit të LSI për bashkëshorten e tij? Bëri fushatë si president në zgjedhje”, tha Përmeti.

Opozita e re në Parlament ka fajësuar socialistët për situatën e krijuar, por në të njëjtën kohë ka sulmuar presidentin që sipas tyre nuk ndihmuar në qetësimin e situatës, por e ka agravuar atë. “Jemi dakord që është një situatë e krijuar nga klasa jonë politike, duke filluar nga rrënimi total i institucioneve dhe deri në këtë krizë. Presidenti ka paraqitur si argument mundësinë e konfliktit civil, mendimi im personal është se dekreti i Presidentit nuk e ka ndikuar në qetësimin e situatës, nisur nga ngjarjet e djeshme të papranueshme”, theksoi deputeti demokrat Korab Litaj.
Ndërsa deputeti Adriatik Alimadhi ngriti shqetësimin e mungesës së Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se po i mohohet e drejta e presidentit për të ankimuar vendimin. Këtyre qëndrimeve të opozitës së re parlamentare, Balla ka theksuar se shkarkimi do të shkojë te Gjykata Kushtetuese si akt final. “Presidenti tenton një pseudokrizë institucionale. Nëse ka krizë është krizë për mbijetesë e opozitës që doli në rrugë dhe veproi kundër parimeve demokratike. Kjo opozitë rrugore po përpiqet të destabilizojë vendin, si dhe me këtë akt Meta ka mbajtur një anë të qartë”, deklaroi Balla.

Komisioni i Ligjeve


Pas këtyre qëndrimeve, komisioni ka votuar për të caktuar dy relatorët e çështjes. Janë caktuar vetëm dy socialistët Adnor Shameti dhe Klotilda Bushka si relatorë, ku opozita duket se nuk ka preferuar që të marrë pjesë në këtë proces, ndërsa nuk kanë preferuar që të votojnë për këtë proces.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja u shpreh se të hënën do të nisë diskutimi i gjerë në komision, duke përcaktuar një kalendar të posaçëm në lidhje me procedurën që do të ndiqet. “Mbledhja e radhës të hënën 24.6.2019. Vazhdimin e procedurës së shqyrtimit të kërkesës, do të kemi një seancë diskutimi të gjatë në komision, rendi i ditës dhe ora e mbledhjes do t’i bëhet i ditur presidentit, nëse dëshiron ne do t’i krijojmë mundësinë që të shprehet”, theksoi Manja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë