Ekspertët e Komisionit të Venecias nisën takimet në Tiranë me përfaqësuesin e PD-së, Oerd Bylykbashi dhe atë të LSI-së, Klajda Gjosha.
Pas përfundimit të takimit, në një prononcim të shkurtër për mediat, Bylykbashi tha se Parlamenti tentoi që të bënte pjesë të lojës së pistë ndërkombëtarët sa i takon nismës për shkarkimin e presidentit Meta. Ndër të tjera, demokrati shtoi se raporti i OSBE/ODIHR ishte lajmërim me vdekje i zgjedhjeve të 30 qershorit.

“Parlamenti në lojën e tij të turpshme donte të bënte pjesë ndërkombëtarët për të kapur të gjitha pushtetet, përfshi dhe presidentin e Republikës. Presidenti shkarkohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese. Presidenti i dha garancinë shqiptarëve që zgjedhjet të bëheshin në një datë tjetër me kushte të mira. Në këtë lojë të turpshme, parlamenti tentoi të bënte palë ndërkombëtarët. Raporti i OSBE/ODIHR është lajmërimi me vdekjeje i zgjedhjeve në Shqipëri. Atë që e përmend në mënyrë të qartë presidenti i Shqipërisë se pse në qershor nuk mund të kishte zgjedhje”, tha Bylykbashi.
Po ashtu edhe përfaqësuesja e LSI-së, Klajda Gjosha tregoi detaje nga takimi me delegacionin e Venecias, duke theksuar faktin se mazhoranca sipas saj po bën politikë me çdo gjë.

“Diskutuam një çështje që është e paprecedentë, aq më tepër për një vend që dëshiron të jetë pjesë e BE. Qeveria do duhej të fokusohej në plotësimin e kushteve për marrjen e rekomandimit për çeljen e negociatave, ne merremi me një çështje të rëndë, që është për të mbuluar gjithçka që sot shkon keq me qeverisjen, për të mbuluar raportin e OSBE/ ODIHR, që tregon qartë se në Shqipëri zgjedhjet janë pa standarde. Parlamenti dhe mazhoranca kërkojnë të bëjnë politikë me çdo gjë”, pohoi ajo.
Arsyeja e vizitës së tyre lidhet me ftesën që Parlamenti i ka drejtuar Komisionit për të marrë ekspertizën e duhur në lidhje me procedurën e nisur për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, ku mazhoranca e akuzon se ka shkelur rëndë Kushtetutën me nxjerrjen e dekretit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Takimet po vijojnë me kryetarin e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Ballën dhe me deputetë të tjerë socialisti. Pas një orë ky delegacion do të takohet me kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës , Rudina Hajdari, Nimet Musai, Adriatik Alimadhi dhe deputetë anëtarë të grupeve. Më pas ekspertët e Venecias do të zhvillojnë takime edhe me kryeparlamentarin Gramoz Rucci në ora 11:00. Kjo është ajo sa i përket pjesës së takimeve në Parlament, por ekspertët mësohet se do të zhvillojnë takime edhe me presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama. Gjithashtu mësohet se në axhendën e tyre janë edhe takimet me anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj dhe me përfaqësues të Gjykatës Kushtetuese.
Ekspertët e Venecias nuk do të shamngin as anëtarët e komisionit hetimor nga takimet e tyre dhe fokusi do të jetë ecuria e procesit të deritanishëm. Pikërisht në këtë muaj përfundon edhe afati i komisionit hetimor i ngritur mazhoranca për shkarkimin e presidentit. Kryekomisioneri Ulsi Manja ka bërë të ditur se socialistët nuk do të marrin asnjë vendim para se të publikohet qëndrimi i Komisonit të Venecias që pritet të argumentojë vendimin e presidentit mbi anulimin e datës 30 qershor si ditë e zgjedhjeve.
Ekspertët e huaj mbërrijnë në Tiranë pikërisht një ditë pasi presidenti dha dëshminë e tij përpara komisionit hetimor, ku paraqitur argumentet e tij se pse e ndërmori një veprim të tillë dhe mbi tëgjitha ishin mos lejmi i zgjedhjeve pa alternativë, jo sipas standardeve demokratike, dhe sipas tij, kishte informacione se do të kishte trazira në protestën e 8 qershorit ku në protestë mund të digjej edhe Parlamenti.
Pas dëshmisë mbi dy orë të mbajtur në Parlament, Meta bëri një status në Facebook ku u shpreh i bindur se do ta kryejë të plotë mandatin si president dhe se institucioni i tij do të jetë në mbrojtje të Kushtetutës, demokracisë dhe pluralizimit.
“Shumë i lumtur që m’u dha sot mundësia të kthehem në Parlament pas një mungese gati dy vjeçare, për të rikonfirmuar edhe njëherë se deri në 24 korrik 2022, Institucioni i Presidentit do të jetë një kështjellë e pamposhtur në mbrojtje të Kushtetutës, demokracisë, pluralizmit, interesit kombëtar dhe atij publik, me qëllimin e vetëm anëtarësimin e shpejtë dhe pa vonesa të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, shkruan Meta në postimin e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




