Ministri i Jashtëm në detyrë, Ditmir Bushati nuk ngurroi që të t’i bënte apel presidentit Ilir Meta që t’i jepte fund sa më parë çështjes së ngërçit të krijuar me mos dekretimin e pasuesit të tij, që në këtë rast është kryeministri Edi Rama.
“Apeli im është i thjeshtë, për të ezauruar një orë e më parë procedurën kushtetuese që jetëson jo vetëm ndryshimin e lidershipit politik në Ministrinë e Jashtme, por do t’i krijonte mundësi vendit për t’u përfaqësuar në mënyrë të denjë në arenën ndërkombëtare, pasi vendi është përballë sfidave që vendi nuk i ka njohur më parë”, do të deklaronte kryediplomati një ditë më parë.
Por sot gjatë takimit me Stef Blok, kryediplomatin holandez, Bushati u pyet nga gazetarët: Në këto pesë vite e gjysmë, cila është gjëja që ju keni bërë gabim ose një deklaratë që keni bërë gabim dhe do e tërhiqni nëse do ishit në kohë?
“Duhet të kem bërë më shumë se sa një gabim, por periudha e reflektimit ende s’ka filluar. Të garantoj që do të jetë e plotë”, deklaroi Bushati.
Një përgjigje disi ironike e kryediplomatit shqiptar, që siç duket shkon në adresë të kryeministrit Edi Rama.
Largimi i Bushati u bë me arsyen se kishte 5 vite që kishte në detyrë si kryediplomat, por u komentua se kjo erdhi si rezultat i një përplasje sa i përket për çështjen e Kosovës, të idesë së ndryshimit të kufijve.
Fillimisht kryeministri Edi Rama propozoi në vend të Bushatit, emrin e zv.ministrit të Jashtëm, Gent Cakaj. Një emër që u refuzua që të dekretohej nga ana e kreut të shtetit. Ky vendim detyroi kryeministrin Edi Rama që ripropozonte për së dytë shkarkimin e Bushatit dhe caktimin e tij në detyrën e ministrit të Jashtëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




