Ne rrjet

Shkaku kryesor që nxit krimet është mungesa e babait në familje

Nga Gazeta 'S'-Një dekadë më parë, qyteti i Nju Jorkut nisi një fushatë për të dekurajuar shtatzëninë tek vajzat adoleshente. Nëpër autobusë dhe metro nisën të shfaqen parulla që thoshin: "Nëse e ke mbaruar shkollën e mesme, gjej një punë dhe martohu para se të kesh fëmijë. Kështu do të kesh 98 për qind shanse të mos jesh në varfëri”.

Kjo këshillë, e njohur më gjerësisht si “sekuenca e suksesit”, i atribuohet shpesh studimit të kryer studiuesit e Institutit Brookings, Isabel Sawhill dhe Ron Haskins, ndonëse edhe studiues të  tjerë kanë bërë vëzhgime të ngjashme.

Në librin e tij të fundit “Agjencia”, Ian Rowe i Institutit Amerikan të Sipërmarrjeve, shkruan se ai mesazh “tërhoqi vëmendjen e shumë njerëzve për shkak të thjeshtësisë së 3 hapave që duhet të ndjekin të rinjtë, që edhe nëse lindin në familje me kushte të pafavorshme apo janë rritur vetëm nga një prind, mund ta kontrollojnë veten dhe të marrin në dorë drejtimin e jetës së tyre”.

E megjithatë, ajo fushatë u përball me reagime të shumta nga kritikët, të cilët e akuzuan kryetarin e atëhershëm të bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg, për stigmatizimin e shtatzënisë së adoleshenteve dhe nxitjen e një “agjende moraliste, konservatore për të rigjallëruar martesën”, shkruan Rowe.

Pasardhësi i Bloomberg në atë post, Bill de Blasio, e braktisi fushatën. Dhe që nga ajo kohë moralizimi publik ka dalë jashtë mode, duke u zëvendësuar nga një lloj mos-gjykimi vetë-urues. Në Nju Jorkun e sotëm, ka të ngjarë të shihni reklama për shiringa falas dhe udhëzime për personat e droguar se ku të gjejnë vende “të sigurta” për të bërë injeksione, edhe pse rastet e mbidozave të drogës kanë arritur nivele rekord.

Ne mund të përdorim akoma më shumë nga ai lloj moralizimi që bëjnë zyrtarët publikë, pavarësisht nëse problemi është prindërimi i vetëm, abuzimi me substancat narkotike apo krimi. “Sekuenca e suksesit” funksionon për t’i mbajtur njerëzit jo vetëm jashtë rrezikut për jetën, por edhe nga telashet me ligjin. Të diplomuarit e shkollave të mesme dhe fëmijët e rritur nga të dy prindërit, kanë shumë më pak gjasa të përfundojnë në burg.

“Gati çdo patologji kryesore sociale, ka qenë e lidhur me fëmijët pa baba:krimi i dhunshëm, abuzimi me drogën dhe alkoolin, shtatzënia jashtë martesës, vetëvrasja dhe çrregullimet psikologjike, që të gjitha lidhen më fort me mungesën e babait sesa me ndonjë gjë tjetër.

Ky faktor tejkalon edhe faktorë të tjerë si raca dhe varfëria”- shkruan politologu Stephen Baskerville.

Debati mbi kriminalitetin në Amerikë tenton të fokusohet tek të ashtuquajturat shkaqe rrënjësore, siç është papunësia. Por ia vlen të kujtojmë se rritja më e madhe e krimit të dhunshëm nisi në vitet 1960, një dekadë që u shoqërua me një nivel të ulët papunësie, me një rritje të fortë ekonomike dhe me dyfishim të të ardhurave të familjeve me ngjyrë.

Më pas edhe pse gjatë viteve 1980-1990, ranë normat e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore të të rinjve me ngjyrë, ajo ishte një nga periudhat më të gjata të rritjes ekonomike të qëndrueshme në historinë e SHBA-së. Një studim i ri nga Instituti për Studime Familjare, nuk e mohon se kushtet ekonomike luajnë një rol në sjelljen kriminale.

Dhe bashkëautorët e studimit Rafael Mangual, Brad Wilcox, Joseph Price dhe Seth Cannon shkruajnë se “ndryshimet në zbatimin e ligjit dhe ndjekjen penale të kriminelëve, kanë pasur gjithashtu një ndikim në rritjen kohët e fundit të krimit të dhunshëm në qytetet amerikane”.

Por argumenti kryesor i studimit, ishte se paqëndrueshmëria familjare mund të jetë faktori më i madh nga të gjithë dhe se ky problem nuk po merr vëmendjen që meriton.

“Qytetet janë më të sigurta kur janë mbizotëruese familjet me dy prindër, dhe më të goditura nga krimi kur janë më të zakonshme familjet e paqëndrueshme”- shkruajnë autorët.

Në shkallë vendi, shkalla totale e kriminalitetit është rreth 48 për qind më e lartë në qytetet “që kanë mbi përqindjen mesatare familje me një prind, krahasuar me qytetet që kanë më pak familje me një prind”. Edhe kur kontrollohen variablat si raca, të ardhurat dhe niveli arsimor “lidhja midis strukturës së familjes dhe shkallës totale të krimit, si dhe shkallës së krimit të dhunshëm, në qytetet në të gjithë Shtetet e Bashkuara, mbetet statistikisht e rëndësishme”.

Të kesh një baba pranë, theksojnë autorët e studimit, është më shumë se sa një pagë shtesë. Baballarët u mësojnë fëmijëve të tyre përgjegjësinë, vetëkontrollin, si të mbajnë veten dhe si t’i trajtojnë gratë. Ata priren të jenë disiplinues më efektivë, dhe përfshirja e tyre në rritjen e fëmijëve lidhet me rezultate pozitive në zhvillimin akademik të fëmijëve të tyre, “veçanërisht në matematikë dhe aftësitë verbale”.

Ky zbulim “është vërtetuar si për djemtë ashtu edhe për vajzat, por çuditërisht është veçanërisht i theksuar tek djemtë”. Po ashtu, prania e baballarëve në familje ka efekte mbrojtëse ndaj pezullimeve dhe përjashtimeve nga shkolla, si dhe ndaj rrezikut të braktisjes së shkollës së mesme.

Gjatë viteve 1960-2019, përqindja e foshnjave në SHBA të lindura nga nëna të pamartuara, u rrit nga 5 në thuajse 50 për qind.

“Ndryshimet nga fundi i viteve 1960 deri në vitet 1990, nga familje me themele të forta tek ato më të paqëndrueshme kanë bërë që disa qytete, dhe sidomos disa lagje, të jenë më të cenueshme ndaj niveleve më të larta të krimit, dhe veçanërisht ndaj krimit të dhunshëm” përfundon studimi.

“Ne duhet të riorganizojmë stimujt materialë dhe kulturorë në qytetet tona për të favorizuar martesën dhe familjet e qëndrueshme, dhe jo t’i nënvlerësojmë ato”- theksohet më tej. Ne të gjithë njohim nëna beqare - madje disa prej nesh mund të jenë të lidhura me to - të cilat i mposhtën me heroizëm këto gjasa, dhe që kanë rritur fëmijë që kanë vazhduar të bëjnë një jetë produktive.

Por qëllimi i politikave publike, duhet të jetë zvogëlimi i numrit të njerëzve që do të duhet të përballen me këto vështirësi. Dhe kjo do të thotë të mbështetësh dhe promovosh sjellje që janë objektivisht të dëmshme për njerëzit dhe shoqërinë në përgjithësi.

Burimi: Wall Street Journal/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë