Gazeta Si – SPAK ka kërkuar 6 muaj burg për deputetin e Partisë Demokratike, Qani Xhafa, i cili akuzohet për drejtim mjeti në gjendje të parregullt.
Por gjithsesi, ai mund të mos vuajë asnjë ditë në qeli, pasi Prokuroria e Posaçme kërkoi që dënimi t’i konvertohet me një vit shërbim prove.
Gjykata e Posaçme në seancë i ka kërkuar SPAK-ut që të mbajë parasysh faktin, që ai është deputet dhe familjar e për pasojë të dënohet me shërbim prove.
“I mbrojturi prej meje ka pranuar ngjarjen. Sjellja e tij tregon që ai është një njeri i arsimuar. Atë ditë ka patur nië feste familjare me miqtë dhe po kthehej në banesë. Kërkojmë dënimin minimum ose detyrimin me punë me interes publik, ose me gjobë”, tha avokati i Xhafës.
Pasi avokati kërkoi që mund të dënohet me gjobë, SPAK ishte dakord që për mënyrën e vuajtjes së dënimit i pandehuri mund të paguajë një shumë në favor të shtetit.
Pas kësaj Gjykata e Posaçme u tërhoq në Dhomë Këshillimi për të marrë vendim. Sipas SPAK, deputeti Xhafa, në gjendje të dehur, duke drejtuar automjetin e tij u aksidentua duke u përplasur me një shtyllë të ndriçimit rrugor.
Qani Xhafa kandidoi si deputet për Partinë Demokratike edhe në zgjedhjet e 11 majit. Ai ishte në listën e hapur, ku ka dalë i pari mes kandidatëve demokratë me rreth 6 mijë vota për të.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.