Që nga dita e djeshme pothuajse i gjithë territori i vendit është nën pushtetin e ujit për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Si pasojë është vështirësuar qarkullimi i mjeteve dhe disa rruga janë bllokuar. Ndërkohë ka nisur dhe evakuimi i disa familjeve.
Konkretisht, në rrugën interurbane që lidh Tiranën me Durrësin, në zonën pranë karburantit në hyrje të Durrësit, ka prezencë të lartë të ujit në të dyja anët e lëvizjes, gjë që e bën të pamundur qarkullimin normal të mjeteve.

Përmes një njoftimi Bashkia e Durrësit thotë se situatë problematike paraqitet në njësinë administrative Rrashbull si dhe në Manzë, ku ura e fshatit Borç rrezikon shembjen për shkak të prurjeve të mëdha të ujit.
Deri më tani janë evakuuar 10 familje, me nga 3-4 anëtarë secila, të cilat janë sistemuar pranë Kovalishencës.
As burgu i Durrësit nuk ka shpëtuar nga përmbytja për shkak të motit të keq. Raportohet se kati i parë është mbuluar nga uji dhe kjo ka detyruar autoritetet që të transferojnë të paraburgosurit në katin e dytë.
Gjithashtu, sii pasojë e kësaj situate mësimi në shkolla dhe Universitetin e Durrësit është pezulluar.

Në Lezhë, kanalizimet nëntokësore nuk e përballuan nivelin e lartë të prurjeve, duke sjellë përmbytje në lagjen “Besëlidhja” dhe disa rrugë. Mësimi është pezulluar edhe në Lezhë.
Situata më problematike është në blloqet e banimit “11 janari” dhe “11.2 hektarë”, ku niveli i ujit arriti në disa centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe vështirësuar lëvizjen e qytetarëve dhe të automjeteve. Ndërkohë, për shkak të prezencës së ujit në ambientet e jashtme, është pezulluar mësimi në shkolla.
Pasdite është përkeqësuar edhe situata në bashkinë e Kurbinit. Dalja nga shtrati e përroit ka përmbytur disa zona të qytetit. Gjithashtu është bllokuar dhe qarkullimi në aksin Laç-Mamurras pranë fshatit Gjorm nga vërshimi i përrenjve malorë.
Në fshatin Adriatik, disa hektarë tokë janë nën pushtetin e ujit si dhe disa banesa janë të rrethuara nga uji ndërsa në fshatin Fushë Mamurras është pezulluar mësimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




