Nga Gazeta ‘Si’- Gjatë seancës plenare të së martës në Kuvend, grupi parlamentar i Partisë Socialiste vendosi të abstenojë për amendamentin e paraqitur nga deputeti Erion Braçe.
Amendamenti parashikonte shtimin e një neni të ri, pas nenit 44 të projektligjit, me qëllim që shitja, dhënia falas apo ofrimi i produkteve të duhanit për të miturit nën moshën 18 vjeç të kategorizohej si vepër penale.
Sipas shpjegimit të Braçes, propozimi synonte të ashpërsonte masat në rastet kur ndaj shkelësit ishin marrë më parë masa administrative.
Në amendament parashikohej dënim me gjobë nga 100 mijë deri në 300 mijë lekë ose burgim deri në 6 muaj. Në rastet e dëmtimit të rëndë të shëndetit të të miturit, dënimi parashikohej nga 4 deri në 8 vite burg, ndërsa në rastet kur shkelja do të shkaktonte vdekjen e të miturit, dënimi arrinte nga 8 deri në 16 vite burg.
Gjatë diskutimeve, fjalën e mori kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili kërkoi shtyrjen e votimit të amendamentit.
Ai theksoi se grupi socialist mbështet çdo nismë që synon mbrojtjen e të miturve, por sqaroi se paketa e ndryshimeve në Kodin Penal është negociuar në mënyrë të detajuar me Komisionin Europian.
“Ndryshimet që po shqyrtojmë sot janë negociuar gërmë për gërmë me Komisionin Europian dhe nuk është serioze që të miratohen ndryshime të tjera pa marrë më parë një qëndrim zyrtar prej tyre. Kemi bërë përpjekje për t’ua përcjellë materialin, por ende nuk kemi marrë përgjigje. Për këtë arsye, i kërkoj kolegut Erion Braçe shtyrjen e votimit,” u shpreh Balla.
Në përfundim, amendamenti i Braçes u hodh në votim dhe u rrëzua, duke marrë 2 vota pro, 82 abstenime dhe asnjë votë kundër.
Deputeti Erion Braçe nuk mori pjesë në votimin e dy projektligjeve të tjera:
– Projektligjit “Për lobimin në Republikën e Shqipërisë”, i cili u miratua me 83 vota pro, asnjë abstenim dhe 10 vota kundër;
– Projektligjit “Për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit, komponentëve kryesorë të tyre dhe municioneve”, i cili u miratua me 84 vota pro, asnjë abstenim dhe 10 vota kundër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



