Gazeta Si – Stadiumi ‘Air Albania’ do të jetë i mbushur plot për ndeshjen e 10 shtatorit ndaj Polonisë, e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024. Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se janë shitur të gjitha biletat për këtë sfidë të rëndësishme të kuqezinjve.
Institucioni që drejton futbollin shqiptar fillimisht falënderon tifozët që kanë vendosur të jenë të pranishëm në ‘Air Albania’ dhe më pas kërkon që ata të krijojnë një atmosferë të ngrohtë për ekipin e zemrës dhe po ashtu të tregojnë respekt për kundërshtarin.
“Të mbështesim kuqezinjtë tanë të gjithë se bashku! Me ju, ne jemi 12!” – shkruan FSHF në njoftimin për shitjen e të gjitha biletave për Poloninë. Më parë, më 7 shtator, Kombëtarja luan ndaj Çekisë në transfertë. Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme për kualifikimin e mundshëm, sidomos ajo me Poloninë në Tiranë.
Kuqezinjtë nisin sot grumbullimin dhe kanë tri ditë kohë të përgatisin sfidën me Çekinë e vendit të parë në grup. Kombëtarja jonë mban vendin e dytë, me 6 pikë pas 3 ndeshjeve të para.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.