Gazeta Si – Një person u arrestua në Kukës me urdhër të SPAK, pasi dyshohet se po blinte vota në favor të Partisë Social Demokrate të kryesuar nga Tom Doshi.
Sipas njoftimit të policisë, K.P., u prangos më 10 maj rreth orës 22:00 të mbrëmjes. Gjatë kontrollit iu gjetën dhe sekuestruan 205.500 lekë të reja, 525 euro, një Iphone dhe një mjet tip “Benz”.
Në kërkim është shpallur kryeplaku i fshatit Lusen të Kukësit, G.P., i cili u ka premtuar para votuesve në njësinë administrative Ujmisht dhe fshatrave Bushtricë, Matranxhë për të votuar PSD-në.
“Në datën 10.05.2025, në orën 22:00, gjatë një operacioni të SPAK dhe Drejtorisë Vendore të Policisë së Kukësit u bë e mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit K.P. Këtij shtetasi iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale shumat monetare; 205.500 lekë të reja dhe 525 euro, një aparat celular (Iphone) dhe një automjet (Mercedes Benz). Në kërkim është shpallur shtetasi G.P, me detyrë kryeplak i fshatit Lusen, Kukës dhe po punohet për kapjen e tij”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Ndaj tyre rëndon akuza për veprën penale ‘korrupsion aktiv në zgjedhje”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.