Drejtësia

Shisnin paketa televizive pirate në Tiranë, shkon në gjyq dosja ndaj 5 personave

Gazeta Si – Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim pesë persona të akuzuar për mashtrim kompjuterik dhe shkelje të të drejtave të pronësisë industriale, në kuadër të një skeme piraterie televizive që dëmtonte interesat e kompanive mediatike.

Shtetasit F.Ç., A.V., E.Xh., A.S. dhe A.L. dyshohet se, përmes subjekteve të tyre tregtare, shisnin paketa televizive të dekoduara në mënyrë të paligjshme, duke i reklamuar në rrjetet sociale dhe i shpërndarë përmes postave private.

Çmimet varionin nga 3 mijë e 500 deri në 10 mijë lekë, ndërsa në disa raste pagesat kryheshin në euro.

Të pesë personat akuzohen për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”. Prokuroria ka dërguar çështjen për gjykim, ndërsa hetimet konsiderohen të mbyllura.

“Këta persona, si administratorë të subjekteve të tyre, bënin të mundur dekodifikimikin dhe trasmetimin nëpërmjet dekoderave. Në këtë mënyrë realizonin të ardhura duke cenuar interesat e ligjshme të kompanive televizive që prodhojnë programet dhe janë pronarë të të drejtave televizive, – thuhet në njoftim. – Konkretisht, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë nëpërmjet veprimeve simuluese të blerjeve të pajisjeve (dekoder) dhe paketave televizive që këto subjekte tregtonin duke i reklamuar në rrjetet sociale dhe i shisnin me vlera nga 3500 deri 10.000 lekë, krijoi dyshime të arsyshme të bazuara në prova se subjektet në fjalë, janë përgjegjës për kryerjen e veprave penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, të parashikuar nga nenet 143/b dhe 149/a të Kodit Penal”- thuhet në njoftimin e prokurorisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë