Ka ndodhur

Shisnin drogë për turistët në Himarë, arrestohen dy pronarë lokalesh

Gazeta Si – Dy persona janë arrestuar në Himarë, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim në Himarë, pasi kultivonin dhe shpërndanin drogë.

Ata janë pronarë të dy lokaleve në plazhin e Krorëzës dhe policia thotë se të arrestuarit janë A.N., 28 vjeç dhe E.I., 39 vjeç, të dy banues në Sarandë, ndërsa u shpall në kërkim shtetasi K.V., 28 vjeç, Përveç aktivitetit turistik që supozohet të kryenin, ata merreshin edhe me aktivitet kriminal.

“Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasit A. N. dhe K. V., si dhe shtetasi E. I., kishin përshtatur 2 lokalet në pronësi të tyre, në plazhin e Krorëzës, për veprimtaritë kriminale të kultivimit dhe shitjes së kanabis sativës dhe se kishin pushtuar hapësirë publike, për të vënë çadra dhe shezlongë, pa autorizim”, njoftoi policia.

Gjatë kontrolleve në lokal u gjet një sasi lënde narkotike kanabis e ndarë në vazo dhe qese, 89 bimë narkotike kanabis dhe një sasi municioni luftarak. Për këtë rast u procedua në gjendje të lirë për moskallëzim krimi, një 19-vjeçar, kamarier.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë