Euro 2020

Shiriti ylber, Nojer: Kundër racizmit dhe dhunës, jemi shembull për të rinjtë

“Kualifikimi për në 1/8-at nuk mjafton, shkojmë në “Wembley” për t’u rikthyer Gjermania e zakonshme, duam të paktën gjysmëfinalet ose finalen. Unë do të vazhdoj ta mbaj shiritin e ylberit”. Manuel Nojer, kapiteni i Gjermanisë, analizon jo vetëm momentin e skuadrës së tij në prag të ndeshjes me Anglinë.

“Kemi shënuar 6 gola në 2 ndeshjet e fundit dhe kjo gjë më jep besim për ndeshjen e radhës me anglezët, por edhe kemi pësuar 5 gola në 3 ndeshje. Duhet më shumë stabilitet në lojë, nëse duam të ecim përpara”, - ka thënë portieri i Bajernit të Mynihut për “Kicker”.

Në “Wembley” Nojer ka fituar Championsin me Bajernin në 2013-ën, kurse me kombëtaren nuk ka luajtur kurrë aty: “Do të jetë një përvojë e veçantë, edhe pse nuk do të jenë shumë tifozë gjermanë. Do të ketë më shumë tifozë anglezë, rregullat e pandemisë janë këto dhe duhet t’i pranojmë”, - ka shtuar më tej Nojer.

Kapiteni gjerman është shndërruar në një simbol të mbrojtjes të të drejtave të njeriut që kur mban në krah shiritin e kapitenit me ngjyrat e ylberit: “Është një iniciativë e rëndësishme dhe e mbështetur edhe nga publiku. Në të kaluarën kombëtarja nuk ka mbajtur shumë qëndrime politike, ose kishte disa indicie të përgjithshme për të ndjekur. Tani, me rrjetet sociale, çdo individ ka më shumë influencë: si kombëtare duam të tregojmë që jashtë futbollit ka tema të tjera që duhen përkrahur, jemi shembull për të rinjtë”.

Nojer është solidarizuar edhe me lojtarët anglezë: “Jemi në anën e tyre, kur të ulen në gjunjë. Në Bundesligë dhe në kombëtare nuk kemi këtë lloj manifestimi, por do të bisedojmë. Ne jemi për respektin dhe hapjen e shoqërisë. Jemi kundër çdo lloj forme dhune, diskriminimi dhe racizmi. Jemi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Për këtë arsye, do të vazhdoj ta mbaj shiritin ylber”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë